Këto janë ngjarjet për të cilat Kosova do të mbahet mend për vitin 2017

Aktuale December 26, 2017 - 09:14

Demarkacioni, ushtria, njohjet e shumëçka tjetër. Këto janë ngjarjet më të rëndësishme që ndodhën përgjatë këtij viti në Kosovë

- 4 janar - Kryetari i Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj (kryeministri aktual i Kosovës), i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë njëri nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për zonën e Dukagjinit, ishte ndaluar nga autoritetet franceze, bazuar në një urdhërarrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Kjo shkaktoi reagime dhe protesta të shumta në Kosovë.

- 12 janar - Haradinaj u lirua me kusht nga autoritetet franceze ndërkaq vazhdonte procesi ku shqyrtohej për ekstradim apo jo të tij në Serbi.

- 14 janar - Nga Serbia niset një tren, me qëllim të lançimit të linjës hekurudhore Beograd-Mitrovicë. Ky veprim u vlerësua nga pala kosovare si një provokim i rëndë, ku në trenin kishte shënime se Kosova është Serbia, dhe po ashtu kishte motive dhe afishe nacionaliste serbe.

- 25 janar - Mbahet takimi mes delegacioneve shtetërore të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i cili synonte uljen e tensioneve mes dy vendeve pas provokimit të Serbisë me trenin dhe arrestimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Në takimin me shefen e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, Kosova u përfaqësua nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa, ndërsa Serbia nga ish-presidenti Tomislav Nikoliç dhe presidenti aktual dhe ish- kryeministri Aleksandar Vuçiç.

- 2 shkurt - Në Bruksel me ftesë të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u zhvillua takimi i dytë i nivelit të lartë mes delegacionit të Kosovës të përbërë prej presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe të ish-presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliç dhe kryeministrit të asaj kohe, presidentit aktual të Serbisë Aleksandar Vuçiç.

- 3 shkurt - Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg vizitoi Kosovën.

- 4 shkurt - Shembet muri ilegal para urës në lumin Ibër, në përputhje me marrëveshjen e arritur mes qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve politikë të serbëve.

- 27 shkurt - Bangladeshi njeh pavarësinë e Kosovës, Ky është shteti i 114-të që e njeh pavarësinë e Kosovës.

- 3 mars - Kosova është anëtarësuar në Konventën themelore të Këshillit për Bashkëpunim Doganor dhe Organizatën Botërore të Doganave.

- 7 mars - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi inicioi projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili parasheh ndryshimin e mandatit ekzistues të kësaj force në ushtri të Kosovës. Ai e dorëzoi këtë projektligj te kryetarit i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

- 25 prill - Fondacioni Maarif i Turqisë fillon aktivitetet e tij në Kosovë, duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kolegjin International American Academy of Kosovo (IAAK).

- 27 prill - Gjykata e Apelit në qytetin francez Colmar, ka liruar Ramush Haradinajn.

- 10 maj - Me kërkesë të opozitës, Kuvendi i Republikës së Kosovës me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenim votoi për mocionin e mosbesimit të Qeverisë, ku vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme. Votimi u mbështet edhe nga partneri i koalicionit qeveritar Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pas mocionit të mosbesimit të qeverisë vendosi shpërbërjen e Kuvendit dhe deklaroi se më 11 qershor do të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

- 11 maj - Ish-presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani viziton Kosovën.

- 11 qershor - Mbahen zgjedhjet e parakohshme të Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ku garuan 26 subjekte politike: 19 parti politike, pesë koalicione dhe dy nisma me gjithsej 971 kandidatë.

- 8 korrik - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme, sipas së cilës koalicioni PAN (PDK-AAK-NISMA) fitoi 33,74 për qind të votave (39 deputetë), Lëvizja Vetëvendosje 27,49 për qind të votave (32 deputetë), koalicioni LDK-AKR-Alternativa 25,53 për qind të votave (29 deputetë). Ndërkaq, 20 deputetë janë nga partitë e minoriteteve.

- 7 shtator - Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, me 62 vota pro nga 120 deputetë, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës. Veseli ishte zgjedhur kryetar pas gjashtë ndërprerjeve të seancave konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Veseli ishte propozuar nga fituesi i zgjedhjeve, koalicioni parazgjedhor PAN, meqë sipas Kushtetutës së Kosovës grupi më i madh parlamentar dhe fitues i zgjedhjeve parlamentare duhet ta propozojë kandidatin e tij për kryetar të Kuvendit.

- 9 shtator - Ramush Haradinaj u zgjodh kryeministër me 61 vota pro dhe qeveria e re e Kosovës u formua nga koalicioni Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), NISMA për Kosovën, Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Lista Serbe.

- 22 tetor - Mbahen zgjedhjet lokale në 38 komuna të Kosovës. Në zgjedhje morën pjesë 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte akredituar 33 mijë e 200 vëzhgues vendor dhe ndërkombëtar për këto zgjedhje. Këto ishin zgjedhjet e shtata lokale në Kosovë.

- 27 tetor - Shtetasi Turk Ugur Toksoy u arrestua sipas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Turqisë për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, FETO/PYD”. Për të ishte caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditësh.

- 4 nëntor - Toksoy ishte liruar me kaucion prej pesë mijë euro të dorëzuara në gjykatë.

- 19 nëntor - Mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës. 19 komuna shkuan në balotazh për përcaktimin e kryetarit të Komunës.

- 24 nëntor - Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin për 5 të akuzuarit për kryerjen e sulmit ndaj Konsullatës së Republikës së Turqisë në Prizren, të cilët janë dënuar me nga një vit burgim secili, për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Kurse ata janë liruar nga akuza e rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.

- 26 nëntor - Madagaskari njeh pavarësinë e Kosovës. Madagaskari, i cili ndodhet në brigjet jug-lindore të Afrikës, është shteti i 115-të që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

- 15 dhjetor - Në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë për shtetasin turk, Uëur Toksoy, prokurori ka tërhequr kërkesën për ekstradimin e tij në Turqi, me arsyetimin e mungesës së provave relevante.

- 7 mars - Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, vizitoi komunën e Preshevës dhe të Bujanocit, për të kremtuar Ditën e Mësuesit, ku dhe zhvilloi takime me drejtuesit e këtyre komunave. Me këtë, Nishani është president i parë i shtetit shqiptar që vizitoi komunën e Preshevës dhe Bujanocit. /Express/