Grupi për Ballkan: Haradinaj ra në kurthin e premtimeve të fushatës

Aktuale December 26, 2017 - 08:02

Fillimi i mandatit të dytë të Ramush Haradinajt si kryeministër është karakterizuar me një mobilizim të lartë të institucioneve si dhe me një dinamikë të shtuar të aktiviteteve dhe vendimeve të shpejta, por shefi i Qeverisë ka rënë në kurthin e premtimeve të fushatës zgjedhore se lëvizja e lirë për në Bashkimin Evropian (BE) do të ndodhë në tremujorin e parë të qeverisjes së tij, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Kështu thuhet në analizën për 100-ditëshin e qeverisë “Haradinaj” të Grupit për Ballkan, të cilën e ka siguruar gazeta “Zëri”, ku mes të tjerash thuhet se ekzekutivi po qëndron larg temave të komplikuara si: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe apo transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës.

“Për dallim nga qeverisja e Isa Mustafës, e orientuar në politika planifikuese më afatgjate, por më e ngadaltë në vendimmarrje, fillimi i mandatit të dytë të Haradinajt është karakterizuar me një mobilizim të lartë të institucioneve dhe të zyrtarëve si dhe me një dinamikë të shtuar të aktiviteteve dhe vendimeve të shpejta.

LEXO EDHE: Insistojnë në shfuqizimin e Speciales

Ashtu sikur paraardhësi i tij, Haradinaj u përball me fenomene të ngjashme pas formimit të Qeverisë, provokim të eksodit të qytetarëve drejt Evropës dhe me kërkesa për shkarkimin e ministrit serb Nenad Rikalo, i cili u akuzua për përfshirje në krime ndaj shqiptarëve në vitin 1999”, thuhet në këtë raport. 

Grupi për Ballkan procesin e zgjedhjeve lokale të këtij viti e ka vlerësuar të stërzgjatur, si dhe sipas tyre, pikërisht zgjedhjet lokale ishin arsyeja e pasivitet të Parlamentit. “Procesi i formimit të Qeverisë, formula e koalicionit me 5 parti parlamentare dhe 17 të vogla (të pavërejtura), agjendat kontradiktore mes partnerëve qeverisës dhe marrëdhëniet e tensionuara me opozitën nuk ofrojnë kushte të favorshme për Qeverinë e Haradinajt.

Vetëm pak ditë pas formimit të Qeverisë fushata për zgjedhje lokale filloi. Procesi i stërzgjatur i zgjedhjeve lokale pasivizoi Parlamentin dhe shumë ministra u angazhuan në fushatë”.

Lidhur me kabinetin e zgjeruar të kryeministrit vlerësohet se një gjë e tillë është një mënyrë e keqe e qeverisjes dhe dëmton imazhin e tyre. “Me mbingarkimin e kabinetit qeveritar Haradinaj ka thelluar edhe më tej një praktikë të keqe të instaluar të strukturës së qeverisjes. Si rezultat i koalicionit, qeveria ‘Haradinaj’ ka emëruar jo më pak se 68 zëvendësministra, 4-5 për çdo ministri. Ky veprim ka irrituar tej mase opinionin, duke dëmtuar imazhin e Qeverisë. Opozita ironizon, duke deklaruar se emërimi i një numri rekord të zëvendësministrave është suksesi i vetëm i Qeverisë në këto 100 ditë”, thuhet në raport.

Ndërsa për çështjen e demarkimit të kufirit, sipas Grupit për Ballkan, ashtu siç kishte paralajmëruar, Haradinaj në ditën e parë të punës së tij shkarkoi Komisionin për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, veprim ky që, sipas tyre, ishte një lëvizje për ta delegjitimuar këtë Marrëveshje në Kuvend. “Komisioni i ri, siç pritej, vërtetoi pretendimet e Ramush Haradinajt si opozitar, që me marrëveshjen e gushtit 2015 Kosova me versionin e deritanishëm kishte humbur territor.

Pas miratimit të këtij raporti Haradinaj mori një vendim, për shumëkënd befasues, duke proceduar në Kuvend marrëveshjen të cilën për shumë kohë e kishte kundërshtuar. Krahas marrëveshjes, ai dërgoi në Kuvend edhe raportin e Komisionit të ri. Ky veprim është parë si një lëvizje e kryeministrit për ta delegjitimuar këtë marrëveshje në Kuvend”, thuhet në raport.
 

Haradinaj la anash politikën e jashtme


Mangësi në qeverinë “Haradinaj” ata vërejtën edhe në politikën e jashtme, politikë kjo e cila është lënë anash nga shefi ekzekutiv i Qeverisë.

Sipas tyre, qeveria “Haradinaj” nuk ka paraqitur ndonjë plan apo politikë konkrete sa i përket politikës së jashtme, kjo për arsye që në mesin e nëntorit Haradinaj udhëtoi për në Bruksel për takimin e parë me shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, takim që sipas tyre nuk shkoi edhe aq mirë.
 

Qeveria po rri larg temave të komplikuara

Në raport mes të tjerash thuhet edhe se liberalizimi i vizave ishte një premtim i radhës i dështuar i Haradinajt. “Haradinaj ra në kurthin e premtimeve të fushatave zgjedhore, duke premtuar se lëvizja e lirë e qytetarëve do të ndodhë brenda 3 muajve të qeverisjes së tij. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Moszgjidhja e demarkacionit ka shtyrë Haradinajn drejt intensifikimit të agjendës evropiane, duke shtuar se zbatimi i MSA-së sjell liberalizimin e vizave dhe statusin e vendit kandidat”, thuhet aty.

Ndërkohë, sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas Grupit për Ballkan, vazhdon të mbetet temë për të cilën Qeveria nuk ka dëshmuar interes dhe nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret drejt funksionalizimit të saj. “Qeveria e Ramush Haradinajt po rri larg temave të komplikuara e të cilat shumica prej tyre janë jopopullore, siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe apo transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri”.

Krejt në fund, ky institut thotë që për të dëshmuar qëllimin e tij për një “qeverisje ndryshe” kryeministri Haradinaj nuk ka edhe shumë kohë. “Qeverisja e tij do të sfidohet vazhdimisht nga brenda koalicionit, ashtu si edhe nga opozita e fuqishme dhe vetëm përmes qeverisjes së mirë, sigurimit të liberalizimit të vizave me BE-në dhe marrëdhënieve të përmirësuara me opozitën ai mund ta përmbyllë këtë mandat qeverisës”. /ZERI