Zgjedhjet në Preshevë, Vuçiq me Serbinë unike nuk e kaloi pragun

Aktuale December 25, 2017 - 12:45

Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Preshevë sot duhet të vendosë për përsëritjen e mundshme të zgjedhjeve lokale në disa qendra votimi, dhe sipas rezultateve paraprake shumica e votave u fituan nga Alternativa për Ndryshim me 37 për qind, tha presidenti i Komisionit Komunal Zgjedhor, Zeqiri Miftari.

Nga tetë listat zgjedhore që morën pjesë në votimet  në Preshevë, katër nuk kaluan pragun, ndër të cilat është edhe lista serbe e presidentit Aleksandar Vuçiq – Për Serbinë unike, me 4.9% të votave të fituara, transmeton Klan Kosova

Bazuar në rezultatet preliminare Shqipërim Arifi, i Alternativës për Ndryshim ka dalë fitues i zgjedhjeve për kryetar të komunës së Preshevës që u mbajtën edhe në katër komuna tjera në Serbi.

Në këtë garë ai raportohet se mundi Partinë Demokratike Shqiptare që udhëhiqet nga Ragmi Mustafa dhe atë Për Veprim Demokratik të Ardita Sinanit.

Presheva ka mbi 19 mijë qytetarë me të drejtë vote, ndërsa këta janë të ndarë në 38 njësi.