Kushtet e Serbisë për normalizim të raporteve me Kosovën

Aktuale December 25, 2017 - 09:54

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka folur për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë.

Sipas politikanit serb, zgjidhja e çështjeve pronësore në Kosovë do të jetë një nga kërkesat kryesore të palës serbe për të arritur normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Kosovën.

Gjithashtu, në vijim të dialogut të Brukselit, Beogradi do të kërkojë një rishikim të procesit të privatizimit në Kosovë.

Ndërsa UNMIK-un dhe EULEX-in do t’i trajtojë edhe zyrtarisht si organizata të ngarkuara me menaxhimin e përkohshëm të Kosovës.

Edhe më herët shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, ka deklaruar në një konferencë të përbashkët me kryeministren serbe, Ana Branabiq, se normalizimi i raporteve me Kosovën, është krucial për rrugën e Serbisë drejt futjes në Bashkimin Europian, njofton Klan Kosova.