Haradinaj takohet me ambasadorët, ua tregon qëndrimin për Specialen

Aktuale December 23, 2017 - 13:19

Ramush Haradinaj u ka thënë ambasadorëve të akredituar në Prishtinë se do të veprojë bazuar në vullnetin e deputetëve lidhur me shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Takimi i Shefit të Qeverisë e ka mbajtur takimin me ambasadorët vetëm një ditë pasi ka nisur procedura për shfuqizimin e Speciales.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe përfaqësuesin e Zyrës së BE-së në Kosovë,me të cilët bisedoi për çështjen e nismës së 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kryeministri Haradinaj i falënderoi ambasadorët e Quintit për përkrahjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme për Kosovën në të gjitha proceset. Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi i respekton vendimet e të zgjedhurve të popullit”, shkruan në njoftimin e qeverisë.

Ndryshe, mbrëmë, 43 deputetë kanë kërkuar shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, por kanë dështuar pasi Kryesia e Parlamentit s’ka pasur kuorum për të vazhduar procedurën më tutje. Kundër kësaj nisme kanë dalë LDK e Vetëvendosje.

Pas kësaj nisme kanë qëndruar Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, të cilët mund të jetë të akuzuarit potencial të kësaj Gjykate, e themeluar për t’i hetuar pretendimet e Dick Martyt, i cili bën përgjegjës udhëheqësit e UÇK’së për krimet në luftë e pasluftës.