Hoti: Nuk do të lejojmë që të shkatërrohet Kosova

Aktuale December 22, 2017 - 21:50

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, është deklaruar pas takimit të kishte me ambasadorin amerikan Greg Delawie, ambasadorin britanik Ruairi O’Connell si dhe me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, raporton “Zeri.info”.

Hoti pas këtij takimi ka thënë se LDK-ja në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që të shkatërrohet Kosova pas 17 vitesh ndërtimi të shtetësisë së saj dhe në asnjë mënyrë sipas tij, nuk do të lejojë që të prishet partneriteti ndërkombëtar për teket e partive politike.

Kujtojmë se Kryesia e Kuvendit të Kosovës dështoi për herë të dytë që të mbledh votat për të mbajtur seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të cilën e kërkuan 43 deputetë që të shfuqizohet Ligji për Dhomat e Specializuara dhe të Prokurorisë Speciale, për shkak të mungesës së kuorumit.

“Zeri.info”, më poshtë ju sjell një pjesë të deklaratës së Avdullah Hotit:

Sonte i keni parë disa zhvillime dramatike të panevojshme duke krijuar një situatë të jashtëzakonshme të panevojshme.

Ju keni parë edhe komunikimin tonë me ndërkombëtarët dhe ne nuk lejojmë që të prishim partneritetin tonë ndërkombëtarë dhe ne kemi pasur takime me ambasadën e Amerikës, Britanisë dhe me përfaqësuesit e zyrës së BE-së.

Ne nuk do të lejojmë që Kosova të shkatërrohet për 17 vite që është ndërtuar.... ne nuk do të lejojmë që partneriteti ndërkombëtar të prishet për teket e secilës parti politike.

 

Image