Pa u ndryshuar baza kushtetuese, nuk ndryshohet Ligji për Specialen

Aktuale December 22, 2017 - 20:42

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, deklaroi për KALLXO.com se pa ndryshimin e bazës kushtetuese të Ligjit për Dhomat Speciale, nuk mund të shfuqizohet ligji që e themelon këtë gjykatë. Ai the se me këta hapa “Kosova futet në zonën e përgjegjësisë ndërkombëtare si shtet”.

Hasani më tej shpjegon se ndryshimi i bazës kushtetuese duhet të bëhet me të njëjtën procedurë që është miratuar.

“Këtu nuk shtrohet çështja e ndryshimit të Ligjit, por e bazës kushtetuese. Me ndryshimin e Kushtetutës është deleguar një pjesë e pushtetit të gjyqësorit në bashkësinë ndërkombëtare”, tha ai.

Më tej, Hasani shton se “shfuqizimi i Ligjit për Dhomat Speciale nuk ka bazë nëse nuk shfuqizohen amendamentet e Kushtetutës që i kanë dhënë bazë Gjykatës Speciale”.

“Pra, pa shfuqizimin e amendamenteve kushtetuese nuk mund të bëhet shfuqizimi i një detyrimi ndërkombëtar të Kosovës”, tha Hasani.