“ÇOHU” tregon problemet në deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publikë

Aktuale December 22, 2017 - 18:23

Organizata “ÇOHU” dje ka bërë publik hulumtimin  mbi procesin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë dhe për sistemin ekzistues të parandalimit të pasurimit të paligjshëm, me ç’rastë u tha se disa zyrtarë publikë  nuk e kanë treguar prejardhjen e pasurisë së tyre.

Arton Demhasaj, drejtor i kësaj organizate ka thënë se deklarimi i pasurisë nuk e ka ndaluar korripsionin në vend.

“Deklarimi i pasurisë është parë si diçka që mundet me e ndal korrupsionin, por që nuk e ka ndalur. Ne në hulumtim kemi zgjedhur 71 zyrtarë që kanë ushtruar funksion publikë gjatë viteve 2010-2016. Është me rëndësi të theksohet se për konsideratë janë marrë individë me ndikim të madh në sferën institucionale dhe publike, në rang kryetarë partishë, deputetë të disa legjislaturave me radhë, drejtorë prokurimi në dikasterët qeveritar që kanë pasur buxhet më të lartë, drejtorë ekzekutiv në kompanitë publike dhe kryetarë komunash”, ka thënë ai.

Ndërsa Leonida Molliqaj, nga kjo organizatë ka theksuar se nga 71 zyrtarë që janë zgjedhur për hulumtim, vetëm tek 11prejt tyre nuk është gjetur ndonjë mospërputhje në deklarimin e pasurisë.

Molliqaj ka përmendur edhe disa nga kategoritë e problemeve të deklarimit të parurisë, e ato janë: mos deklarimi i prejardhjes së pasurisë, krijimi i pasurive të reja pa shpjeguar qartë prejardhjen, mosdeklarimi i vitit të përfitimit të pasurisë etj.

Në hulumtimin e organizatës “ÇOHU” thuhet edhe se Agjencia Kundër Korrupsionit ka shqyrtuar edhe disa raste të konfliktit të interesit, ndërsa ushtrimi ushtrimi i vazhdueshëm i konfliktit të interesit sipas tyre përbënë një vepër penale e cila duhet të penalizohet me Kodin Penal të Kosovës.

“Ligji ka si të metë të tij themelore mos penalizimin e ushtrimit të vazhdueshëm të konfliktit të interesit, pasi që si kategori juridike nuk është e përfshirë në Kodin Penal. Përveç kësaj edhe kategoritë si: Fshehja e konfliktit të interesit, mosdeklarimi/refuzimi i deklarimit të konfliktit të interesit apo deklarimi i rrejshëm i konfliktit të interesit, nuk janë të përfshira në Kodin Penal dhe rrjedhimisht as në ligj”, thuhet në hulumtim.