Thaçi ka një porosi indirekte: Mos e mbani peng vendin për shkak të qasjeve të gabuara

Aktuale December 22, 2017 - 14:21

Në vazhdim të fjalimit të tij vjetor para deputetëve, presidenti Thaçi ka thënë sekredibiliteti ynë shtetëror në arenën ndërkombëtare dhe shpejtësia me të cilën i afrohemi anëtarësimit në BE dhe NATO, varet kryesisht nga serioziteti ynë në përmbushjen e obligimeve tona shtetërore.

“Në këtë aspekt, ne nuk mundemi që në vazhdimësi të drejtojmë gishtin nga BE-ja, NATO-ja apo bashkësia ndërkombëtare duke kërkuar që t’i mbajmë ata fajtorë të vetëm për ngecjet tona.Ne duhet t’i pranojmë lëshimet dhe t’i përmirësojmë ato sa më shpejt që mundemi, sepse vetëm kështu mund ta zëmë hapin me shtetet fqinjë në procesin e integrimeve euroatlantike.Prandaj, duhet ta ratifikojmë pa humbur kohë marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.Ratifikimi i kësaj marrëveshje i jep fund izolimit të padrejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Presidenti ka thënë duhet që pa humbur kohë të themelojmë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse BE-ja dhe shumë shtete tjera partnere janë të zhgënjyera me paaftësinë tonë për të zbatuar zotimet e marra përsipër.

“Sa më shpejt përmbushim detyrat tona, aq më shpejt do të mund të bëjmë hapa seriozë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.Si President i Republikës së Kosovës i kam bërë thirrje vazhdimisht BE-së për veprime jo vetëm teknike, por mbi të gjitha strategjike për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.Me vjen mirë që tani së fundi edhe Bashkimi Evropian e thotë qartë se mënyra më e mirë për të siguruar paqen afatgjate në rajonin tonë, është anëtarësimi i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE”, ka thënë ai.

Presidenti ka thënë se vazhdon të besojë se mënyra më e mirë është që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE në të njëjtën kohë, pavarësisht faktit se disa shtete kanë bërë progres më të madh në përmbushjen e kritereve për anëtarësim.