Rashiq: Palët s’kanë vullnet për Asociacionin

Aktuale December 22, 2017 - 07:56

Ish-ministri Nenad Rashiq, i cili është kryetar i Partisë Progresive Serbe, thotë për “Zërin” se pala kosovare dhe ajo serbe nuk kanë vullnet që të punojnë në drejtim të formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas tij, deri në gjysmën e vitit të ardhshëm nuk do të ketë as takime lidhur me këtë çështje.

Ndonëse Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe u nënshkrua para më shumë se dy vjetësh ende nuk dihet asnjë afat se kur do të nisë themelimi i kësaj bashkësie. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të përfaqësuesve serbë që Asociacioni të formohet sa më shpejt, Qeveria e Kosovës nuk ka treguar se kur do të ndodhë një gjë e tillë. Përkundrazi, nga ekzekutivi (duke mos treguar) kanë thënë se Asociacioni do të formohet në një afat optimal. Nga ana tjetër, përderisa përfaqësuesit e Beogradit dhe të Listës Serbe në Kosovë po vazhdojnë ta ngrenë si çështje Asociacionin, përfaqësues të partive të tjera serbe në Kosovë konsiderojnë se këto deklarata po bëhen vetëm sa për konsum medial. Madje ata shprehen të vendosur se deri në gjysmën e vitit të ardhshëm nuk do të ketë kurrfarë takimi mes palëve për këtë marrëveshje e lëre më finalizim të saj.

Nga ana tjetër, gjersa përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosja” e cilësojnë si antikushtetuese këtë marrëveshje, ata të LDK-së vlerësojnë se Qeveria e re ka dështuar lidhur me çështjen e Bashkësisë së Komunave Serbe.

Qeveria: Asociacioni, në afat optimal

Qeveria e Kosovës, duke mos treguar se kur do të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ka thënë se një gjë e tillë do të bëhet në bazë të verdiktit të Kushtetueses. “Do të themelohet në afat optimal dhe në bazë të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, thuhet shkurt në përgjigjen e Qeverisë dhënë “Zërit”.

Ndërkaq kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka qenë ajo e cila para pak ditësh në Bruksel ka kërkuar formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Një gjë të tillë Bërnabiq e ka bërë të ditur pas takimit që pati atje (me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor dhe me shefen e Diplomacisë së BE-së, Frederika Mogherini). (Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Gazetës Zëri si dhe në versionin Online me parapagim në online.zeri.info)