'Vrasja e personaliteteve pjesë e kombinimeve të agjenturës influente serbe'

Aktuale December 21, 2017 - 14:47

Fadil Kajtazi, njohës i shërbimeve sekrete dhe çështjeve të sigurisë ka reaguar ndaj deklaratës së Nasim Haradinajt për vrasjet e zyrtarëve të LDK-së, për të cilat Haradinaj, anëtar i OVL së UÇK-‘së, të mërkurën mbrëma gjatë një debati televiziv u deklarua sikur i gëzohet vrasjeve të këtyre zyrtarëve. “Punë e madhe që janë vra njerëzit e LDK-së”, ka deklaruar Haradinaj. 

Njohësi i shërbimeve sekrete Kajtazi i është kundërpërgjigjur Haradinajt se vrasja e personaliteteve të shquara të jetës politike dhe intelektuale të shqiptarëve është pjesë e kombinimeve të agjenturës influente serbe.

Kajtazi ka thënë se nuk është e vështirë t’ia qëllosh se kush gëzohet për vrasjen e shqiptarëve, e që siç shprehet ai “ata janë armiqtë e tyre, në radhë të parë serbët”, raporton Zëri.info.

Sipas Kajtazit dhe po ta shikosh këtë histori ajo i ka rrënjët që në vitin 1881, kur Serbia me ndihmën e Rusisë dhe Francës harton "Planin mbi viset arnaute".

“Si pjesë e këtij plani ka qenë edhe dërgimi në Kosovë i 29 priftërinjve rus dhe 16 serb, të cilët kanë shërbyer si hoxhallarë.  Operacioni për udhëheqjen e tyre është zhvilluar nga Manastiri i Deçanit dhe me të ka udhëhequr prifti Dionisije. Këta popa ‘hoxhollar’ mes tjerash kanë pasur detyrë që të hartojnë listën prej 6000 shqiptarëve, personalitete të shquara për t’u likuiduar. Më 1912, më të hyrë në Kosovë ushtria serbe e realizoi me përpikëmëri këtë listë. Që atëherë e deri më sot ne jemi dëshmitarë të vrasjeve të personaliteteve të shquara shqiptare nga ‘dora zeze’ e që pjesa më e madhe e tyre është realizuar mirë fal kombinimeve që kanë bërë shërbimet e fshehta serbe”, ka thënë Kajtazi.

Në kohët e vonshme, gjatë viteve të nëntëdhjeta, ai thotë se vrasja e personaliteteve të shquara të jetës politike dhe intelektuale të shqiptarëve të Kosovës gjithashtu kanë qenë pjesë e kombinimeve të agjenturës influente serbe.

“Ata të kamufluar në ‘patriot të zjarrtë’ kanë krijuar kombinime dhe kanë cytur djem të ri që të përfshihen në këto akte gjoja në emër të patriotizmit. Për shembull, në zonën e Dukagjinit, gjatë luftës, bashkëpunëtori i shërbimit serb ‘JAGLIQ’ i infiltruar lart në kuadër të hierarkisë së UÇK-së ka bërë edhe këtë punë; futjen e përçarjes mes shqiptarëve dhe krijimin e kombinimeve për organizimin e vrasjeve”, ka thënë Kajtazi.

Ai thotë se kur një ditë do të zbardhen këto skema, kur të shohin njerëzit se si serbët kanë festuar pas çdo vrasje të kësaj kategorie, dhe kur të mësohen emrat e atyre që kanë qene pjesë "e lojës" disa do të turpërohen dhe pendohen.

“Nasimi le të vazhdoj t'i gëzohet vrasjeve të shqiptarëve”, përfundon reagimi i Kajtazit. /Zëri.info/