Demarkacioni, vitin tjetër në Kuvend

Aktuale December 21, 2017 - 08:04

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi nuk pritet të dalë në votim para deputetëve gjatë këtij viti, ani pse Qeveria tashmë ia ka nisur Kuvendit këtë marrëveshje.

Meqë kanë mbetur edhe 10 ditë deri në përfundim të vitit 2017, gjasat janë minimale që Demarkacioni të procedohet në Kuvend, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se pa u gjetur një konsensus mes partive (për ta votuar), kjo marrëveshje nuk do të shkojë para deputetëve.

Të njëjtën e kanë pohuar edhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit (nga PDK-ja), të cilët kanë thënë se nëse nuk arrihet një marrëveshje e tillë atëherë nuk ka nevojë që Demarkacioni të dalë fare në votim.

Me këtë rast ata kanë thënë se zhvillime rreth Demarkacionit mund të ketë tek pas Vitit të Ri (2018), shkruan tutje "Zëri".

Kjo marrëveshje ende nuk është shqyrtuar as nga Komisioni për Punë të Jashtme, përkundrazi, një gjë e tillë pritet të ndodhë në fund të këtij muaji (26 dhjetor).

LEXO EDHE: Thaçi raporton nesër para deputetëve

Nga ana tjetër, përderisa përfaqësuesit e opozitës (nga LDK-ja) thonë se kjo marrëveshje është politizuar, ata të lëvizjes ‘Vetëvendosje’ ripërsërisin se nuk do ta pranojnë versionin aktual.

E pavarësisht se kryeministri Ramush Haradinaj po vazhdon të insistojë se versioni i tanishëm është i gabuar, Mali i Zi duke bërë thirrje për ratifikimin e saj ka ripërsëritur edhe dje se kjo çështje tashmë është mbyllur.

Pas Vitit të Ri priten zhvillime rreth Demarkacionit

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës (nga PDK-ja), ka thënë se Demarkacioni nuk do të shkojë në Kuvend nëse nuk arrihet paraprakisht një marrëveshje mes partive politike për ta kaluar atë.

“Unë besoj që nëse nuk ka një marrëveshje të tillë, nëse nuk kalon Demarkacioni, atëherë nuk duhet të futet në agjendën e Kuvendit sa për t’i komplikuar marrëdhëniet me Bashkimin Evropian”, është shprehur ai. 

Lidhur me këtë marrëveshje, sipas Halitit, risi mund të ketë tek pas Vitit të Ri, rrjedhimisht në vitin 2018.

“Unë besoj që pas Vitit të Ri do të ketë ndonjë zhvillim sa i përket Demarkacionit”, ka potencuar ai gjatë një bisede për “Zërin”.

I pyetur nëse koalicioni i ka numrat për ta kaluar marrëveshjen në fjalë, Haliti ka thënë se nuk ka informacion. Megjithatë ai ka fajësuar krerët e partive politike për këtë çështje.

“Nuk e di cili është vullneti i tyre, ka deklarata kundër, ka për, janë probleme që debatohen. Por po besoj që problemet kyç janë kryetarët e partive që nëse duhet ta kalojnë Demarkacionin duhet të punojnë secili me grupet parlamentare”, ka theksuar ai.

Mali i Zi nuk heq dorë, kërkon ratifikimin e Demarkacionit

Nga ana tjetër, ndonëse kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj po vazhdon të deklarojë se versioni i tanishëm i Demarkacionit është i gabueshëm dhe se duhet të rinegociohet, pala malazeze po vazhdon të insistojë se çështja e demarkacionit tashmë është e kryer.

I pari i qeverisë malazeze, Dushko Markoviq, gjatë ditës së djeshme i ka bërë thirrje sërish palës kosovare që ta ratifikojë në Kuvend këtë marrëveshje, meqë kjo çështje është e mbyllur.

Ndërkaq Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Investime Strategjike gjatë ditës së djeshme ka vendosur që më 26 dhjetor ta shqyrtojë Projektligjin për Marrëveshjen e Demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi.  Me këtë rast është kërkuar që më 26 dhjetor të jetë i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Selmanaj: Demarkacioni s’do të ishte problem nëse s’do të politizohej

Ndërkaq deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, duke folur rreth çështjes së demarkacionit ka thënë se kjo marrëveshje nuk do të bëhej problem sikur të mos merrte kahe politike në Kosovë.

“Çështja e demarkacionit nuk do të ishte problem i madh për BE-në po të mos politizohej në Kosovë si një çështje për të cilën kishte mospajtime të skajshme dhe të thella ndërmjet pushtetit dhe opozitës”, është shprehur ai.

Sipas tij, Bashkimi Evropian i ka vendosur kushte të reja Kosovës për liberalizim, duke kërkuar ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit.

Porse është paaftësi institucionale të pretendohet që lëvizja mund të arrihet me pasaporta të Shqipërisë.

“Paaftësisë së institucioneve i shtohet edhe diskursi joracional që qytetarët të dalin të protestojnë para Zyrës së BE-së dhe të pajisen me pasaporta të Shqipërisë si kundërpërgjigje ndaj institucioneve të BE-së. Thirrjet e tilla sa naive, janë edhe aq të dëmshme”, ka shtuar ai.

Ndërkaq kryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, gjatë ditës së djeshme ka ripërsëritur se versioni aktual i Demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi është i papranueshëm për lëvizjen “Vetëvendosje”.

Ismajli: Pa gjetur konsensus vështirë të procedohet Demarkacioni

Nga ana tjetër profesori i shkencave politike, Dashnim Ismajli, ka vlerësuar se pa u arritur një pajtueshmëri mes spektrit politik Demarkacioni nuk do të procedohet këtë vit.

“Pa gjetur një konsensus të brendshëm partitë politike vështirë se do të kemi edhe një procedim të Demarkacionit në Kuvend. Andaj, unë e shoh këtë paaftësi për konsensus nga politika kosovare në dëm të proceseve dhe humbjen e kohës pa arsye. Demarkacioni dhe sfidat e tjera që Kosova i ka përpara duhet t’i kalojë sa më shpejt për t’i zënë hapat e humbur dhe t’i bashkëngjitet vendeve të rajonit në rrugën e integrimeve”, ka theksuar ai.

Andaj, sipas tij, skena politike në Kosovë duhet të tregojë vullnet politik për t’i finalizuar këto procese.

“Kosova nuk ka dhe nuk duhet ta humbë kohën kot. Ky pozicion i vështirë i Kosovës në politikat ndërkombëtare vjen edhe si rezultat i keqqeverisjeve të pasluftës dhe mosinteresit për t’i zgjidhur problemet që janë edhe obligime ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Kurse Albana Merja, njohëse e çështjeve të integrimit evropian, ka thënë se nga e tërë kjo zvarritjeje e këtij procesi më së shumti po humbasin qytetarët, kjo meqë qytetarët shpenzojnë miliona euro për t’i marrë vizat vetëm brenda një viti.

“Nga monitorimi që i kemi bërë sistemit, në vitet e para ka pasur punë shumë të mirë, por gjatë kohës kjo ka rënë sepse shumica e ligjeve kanë mbetur përgjysmë. Kemi mbetur në një gjendje pa rrugëzgjidhje dhe ata që vuajnë janë qytetarët sepse të tjerët kanë pasaporta biometrike. Nga një raport i vitit 2013 për një vit qytetarët shpenzojnë miliona euro për t’u pajisur me viza”, ka thënë Merja.