Refuzohet integrimi i 23 ish-policëve të MUP-it, s’e kalojnë 'verifikimin e sigurisë'

Aktuale December 20, 2017 - 07:58

Njëqindenjëmbëdhjetë ish-pjesëtarë të MUP-it të Serbisë, respektivisht 39 punëtorë administrativë, 34 zjarrfikës, 23 ish-policë, si dhe 15 pjesëtarë të Drejtorisë për Ushqim në MUP-in e Serbisë edhe më tutje nuk janë integruar në institucionet e shtetit të Kosovës, ashtu siç ishte arritur marrëveshja në Bruksel, thuhet në një raport të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Derisa për integrimin e 39 ish-punëtorëve administrativë të MUP-it serb, si dhe për 34 zjarrfikës garantohet integrimi i tyre në institucionet e shtetit të Kosovës, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për 23 ish-policë të MUP-it të Serbisë, si dhe për 15 ish-pjesëtarë të Drejtorisë së Ushqimit në MUP-in e Serbisë.

LEXO EDHE: Opozita: Dialogut t’i prijë Haradinaj, jo Thaçi

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, drejtor i të cilës është Marko Gjuriq, ka dalë me një raport lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për Integrimin e ish-pjesëtarëve të MUP-it të Serbisë dhe të ish-pjesëtarëve të së ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” (Civilna Zastita) në institucionet e shtetit të Kosovës.

“111 ish-pjesëtarë të MUP-it të Serbisë, respektivisht 39 punëtorë administrativë, 34 zjarrfikës, 23 ish-policë, si dhe 15 pjesëtarë të Drejtorisë për Ushqim në MUP-in e Serbisë edhe më tutje nuk janë integruar në institucionet kosovare. Në këtë periudhë nuk është mbajtur asnjë takim i Komisionit për Integrimin e 39 ish-punëtorëve administrativë të MUP-it, derisa përfaqësuesit e BE-së kanë përsëritur se 39 ish-punëtorët administrativë dhe 34 zjarrfikësit domosdoshmërisht do të integrohen. Mirëpo, për çështjen e 23 ish-policëve të MUP-it, si dhe të 15 ish-pjesëtarëve të Drejtorisë së Ushqimit të MUP-it të Republikës së Serbisë, sipas BE-së, Prishtina ka refuzuar t’i  integrojë për shkak se 23 ish-policët nuk e kanë kaluar kriterin “verifikimi i sigurimit”, si dhe që institucionet e Prishtinës nuk kanë vende pune që u përgjigjen punëve që kanë kryer 15 ish-pjesëtarët e MUP-it të Republikës së Serbisë, pasi që për shërbime të kësaj natyre janë angazhuar kompani private”, sqarohet në raportin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, të cilin e përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës.

Raporti konstaton se me gjithë problemet në periudhën e raportimit ka ardhur deri të ndryshimet pozitive në kontekstin e zvogëlimit të presioneve politike mbi udhëheqësit e Drejtorisë Rajonale të Policisë, si dhe u është ikur vendimeve të njëanshme të Prishtinës për shkarkimet dhe emërimet në DRP.

“Por, edhe më tutje është i pranishëm problemi lidhur me nevojën e harmonizimit të strukturës etnike në stacionet plicore në veri të Kosovës me strukturën etnike të asaj pjese, ku serbët përbëjnë mbi 90 për qind të popullatës”, thuhet në raport.

Raporti i Zyrës për Kosovën potencon edhe problemet me integrimin e ish-pjesëtarëve të së ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” (Civilna Zastita), sipas së cilës “Prishtina ka kërcënuar me largim nga puna disa ish-pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”, që nuk kanë pranuar të punojnë në jug.

“Kur bëhet fjalë për integrimin e ish-pjesëtarëve të Mbrojtjes Civile në institucionet kosovare edhe më tutje nuk është zbatuar në tërësi Marrëveshja për Integrimin e tyre. Problem është mungesa e zyrave dhe mospagesa e pagave. 32,92 për qind e pjesëtarëve të “Mbrojtjes Civile” të integruar (159 nga 483) nuk kanë marrë një ose më shumë paga prejse kanë filluar punën, ndërsa 5 persona nuk kanë marrë pagë që nga janari i vitit 2016, ndonëse ishte thënë se problemi me pagat do të zgjidhet. Gjithashtu, Prishtina edhe më tutje nuk ka siguruar lokale për punë të personave të integruar në veri të Kosovës. Për këtë arsye, 71 për qind e personave të integruar nuk kanë ku të punojnë. Institucionet e Prishtinës, në mungesë të lokaleve për punë, kanë kërkuar që ata të punojnë në jug, përndryshe i kanë kërcënuar me largim nga puna”, thuhet mes të tjerash në raportin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka konstatuar se nga maji e deri në tetor të këtij viti intensiteti i zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit ka qenë më i ulëti deri më tani.