Krahu i Molliqajt e ka në dorë njërën prej komunave që udhëheq Vetëvendosje

Aktuale December 19, 2017 - 21:56

Njëra prej komunave të Kosovës që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje është në dorën e grupit të Dardan Molliqajt.

Qëndron Kastrati, kryetar i ri i Kamenicës, bën pjesë në grupin e pjesëtarëve të partisë që kundërshton kthimin e Albin Kurtit në krye të Vetëvendosjes, e që udhëhiqet nga ish-sekretari organizativ i partisë.

Vëllai i Qëndron Kastratit, Gëzoni, nëpërmjet një shkrimi në Facebook i ka dalë në mbrojtje Molliqajt, pas akuzave që i janë adresuar atij sot nga familjet e aktivistëve të burgosur të partisë, Atdhe Arifi e Egzon Haliti.

“Deklaratë ma zhgënjyese se kjo e familjeve Arifi dhe Haliti nuk mbaj mend të kem dëgjuar për shumë kohë (edhe më keq kur e di që janë të manipuluar). Jo pse njerëz të ndryshëm në shtetin tonë nuk kanë thënë gjëra nga më të ndryshmet, por pse pritshmërit nga këto dy familje kanë qenë shumë më të mëdha”, ka shkruar Gëzon Kastrati.

“Ka shumë arsye pse mbrojtjen në publik e ka bërë pothuajse vetëm Dardani, dhe ta akuzosh që është duke i mbrojtur vetëm për përfitime, është shumë e pandershme.

I bëjë ftesë publike Dardanit që në këtë emision t’i tregoj arsyet e vërteta se pse aktivistët e dënuar janë mbrojtur vetëm nga Dardani, dhe jo nga përfaqësues të tjerë Lëvizjes”, ka thënë ai. /GazetaExpress/