Zemaj: LDK e gatshme për rinumërim votash për Istogun

Aktuale December 19, 2017 - 18:30

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj,  ka thënë se qytetarët e Istogut i besuan projektit të Haki Rugovës edhe për një mandat tjetër qeverisës.

Këto deklarime Zemaj nga LDK, i dha sot në Info Magazine të Klan Kosovës, ndërsa po komentonte rivotimin për zgjedhjet lokale të Komunës së Istogut.

”Ka qenë një garë e vështirë duke qenë se ka qenë parti rivale AAK bashkë me parti të tjera, që janë bashkuar për ta rrëzuar LDK-në, pra Haki Rugovën”.

”Pra rivotimi ishte i padrejtë, për shkak se manipuluan me vota, por kjo ka treguar se qytetarët e Istogut kanë besuar edhe për një mandat tek kandidati ynë”.

”Është parë që qytetarët i kanë besuar Haki Rugovës, edhe për një mandat tjetër”.

Ndërsa më tej përfaqësuesi i LDK-së, Armend Zemaj, ka deklaruar se ky subjekt partiak është i gatshëm edhe të shkojë në rinumërim të votave për komunën e Istogut, nëse pala tjetër ka ndonjë vërejtje apo ankesë rreth rezultateve të fundit të cilat shpallën kandidatin e tyre Haki Rugovën fitues për postin e kryetarit të Istogut. 

”Neve nuk mund të reagojmë në situata të tilla, por është e drejtë ligjore secili kandidat ka të drejtë ankesën e tij apo vërejtjen”.

”Pothuajse nga e gjithë koha prej hapjes së kutive e deri në mbylljen e tyre, asnjë ankesë nuk është adresuar”.

”LDK është e gatshme të hap kutitë, e gatshme për rinumërim”.

”LDK gjithnjë ka qenë e gatshme për transparencë ndaj qytetarëve. Ne besojmë që kjo është cështje e mbyllur duhet t’i thërras mendjes edhe partia kundërshtare. Jam çuditur që pse gjithë këto struktura të shkojnë në Istog kundër LDK-së”.