Ja kur përfundon shqyrtimi i 14 ankesave të dorëzuara në PZAP nga AAK-ja

Aktuale December 19, 2017 - 11:49

Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar 14 ankesa lidhur me procesin e rivotimit të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Istogut.

Shqyrtimi i këtyre ankesave sipas kryesuesit të sekretariatit të PZAP-së, Mul Desku do të përfundojë të enjten.

“Lidhur me rivotimin për raundin e dyte te zgjedhjeve për kryetar te komunës se Istogut, subjekti politik – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) brenda afatit ligjor ka dorëzuar ne PZAP 14 ankesa. PZAP-i ankesat do ti shqyrton dhe vendos brenda 72 orëve prej momentit te përfundimit te afatit për paraqitjen e ankesave për ditën e votimit, respektivisht ankesat do te shqyrtohen deri ditën e enjte te datës 21.12.2017 ne ora 19:00”, ka thënë Desku për Telegrafin.

Ai ka shtuar se pretendimet në ankesa janë se ka pasur parregullsi gjatë ditës së votimit.

Kujtojmë se dje pas numërimit të votave me kusht atyre me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta, Haki Rugova i LDK-së ka dalë fitues ndaj Gani Dreshajt të AAK-së, me një diferencë prej 14 votash.

E sa i përket këtij rezultati Gani Dreshaj i AAK-së, ka konsideruar se i është vjedhur fitorja duke kërkuar kështu rinumërim të votave.