Rakiq: Qe 1702 ditë po e presim 'Zajednicën'

Aktuale December 19, 2017 - 08:05

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka deklaruar për mediet lokale serbe se marrëveshjet e Brukselit nuk është duke i zbatuar në terren Prishtina, si dhe kanë siguruar se qeveria e Serbisë në vitin 2018 do të investojë në ndërtimin e 24 ndërtesave me nga 5 njësi në “Lagjen e Boshnjakëve” dhe 5 të tilla në “Çeta e minatorëve” për familjet serbe, si dhe përfundimin e punimeve në ndërtimin e ujësjellësit për komunat veriore, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kryetari i Komunës Veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, ka ripërsëritur se ura e Ibrit nuk do të hapet dhe punët nuk do të rifillojnë pa garancitë për sigurinë e qytetarëve.

LEXO EDHE: Kurteshi: S’ka përçarje në LVV, ka mospajtime

Sipas tij, punët do të rifillojnë në revitalizimin e urës dhe të rrugës “Mbreti Peter I”, atëherë kur të ketë siguri për qytetarët.

Por Rakiq më pas ka potencuar se fillimi i punimeve në revitalizimin e urës do të fillojë atëherë kur kompanitë ndërtimore të angazhuara për revitalizimin e urës dhe të zonës së këmbësorëve në pjesën veriore t’i zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë. 

LEXO EDHE: Kryeministrja serbe kërkon siguri nga Mogherini për formimin e Asociacionit

“Hapja e urës nuk është më çështje politike, por çështje teknike rreth së cilës duhet të merren vesh kompanitë që janë duke punuar në revitalizimin e urës. Ajo çka na intereson dhe për të cilën jemi të shqetësuar është siguria e qytetarëve. Këtë gjithmonë do ta kërkojmë dhe nga ky qëndrim nuk do të na lëkundë askush dhe asgjë”, ka thënë ai.

Rakiq ka përmendur edhe vonesat në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, për të cilin, siç tha Rakiq, është obliguar Prishtina me Marrëveshjen e arritur në Bruksel.

“Jemi duke pritur qe 1702 ditë që të formohet ‘Zajednica’. Autorizimet për BKS-në janë shumë precize dhe janë definuar me marrëveshjen e vitit 2015 dhe ne nuk do të lejojmë që ato të zvogëlohen me vendime të institucioneve lokale. Sikur ta dëshironim një OJQ, për të nuk do të na duheshin fare bisedimet në Bruksel”, ka thënë Rakiq.

Ai ka theksuar edhe problemin e kthimit të të zhvendosurve serbë në Kosovë dhe frikës së tyre, siç ka thënë Rakiq, “për shkak të frikës se do të arrestohen nga Policia e Kosovës”.

Në anën tjetër homologu i tij paralel, Aleksandër Spiriq (kryetar i Organit të Përkohshëm), i cili njëkohësisht është edhe zëvendës i Goran Rakiqit në Komunën Veriore, ka siguruar se qeveria e Serbisë do të vazhdojë ta mbështesë veriun e Mitrovicës në të gjitha fushat.

Në veçanti ai ka përmendur ndërtimin e objekteve të banimit për serbët në mjediset me popullatë të përzier dhe me shumicë shqiptare në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërsa ka garantuar se asnjë punëtor përbrenda komunës nuk do të mbetet pa punë.

“Shteti i Serbisë vazhdon të mbetet dhe të funksionojë me kapacitete të plota në këto hapësira, edhe si Organ i Përkohshëm, gjithashtu edhe institucionet publike dhe ndërmarrjet. Na jep kurajë fakti se në tre vjetët e ardhshme do të kemi shumë projekte për qytetin. Në vitin 2018 do ta përfundojmë ndërtimin e ujësjellësit dhe në këtë mënyrë përfundimisht do ta zgjidhim problemin me ujë të pijshëm. Asnjë punëtor nuk do të mbetet pa punë, punëtorët do t’i marrin shtesat rregullisht edhe në vitin 2018 dhe shërbimi për buxhet në kuadër të komunës ka harmonizuar buxhetin dhe ai do të votohet në mbledhjen e së hënës”, ka thënë Spiriq.

Spiriq në veçanti ka përmendur mbështetjen e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, e cila udhëhiqet nga Marko Gjuriq, për disa projekte të rëndësishme që do të realizohen në vitin 2018.

“Kemi mbështetjen e presidentit Vuçiq dhe gjithë qeverisë së Serbisë për projekte të rëndësishme, para së gjithash për projekte që sigurojnë kushte për të qëndruar në këto hapësira. Do të përfundojë ndërtimi i 24 ndërtesave me nga 5 njësi (banesa) në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ dhe 5 të tjera në lagjen ‘Çeta e minatorëve’, kështu që ‘Lagjja e Boshnjakëve’ do të marrë pamje të re. Jemi duke bërë çmos që njerëzit e rinj të mbesin në këto hapësira dhe të krijojnë perspektivë më të mirë për të ardhmen”, ka siguruar Aleksandër Spiriq, kryetar paralel i Mitrovicës së Veriut. 

Ndryshe në “Lagjen e Boshnjakëve”, në të cilën jetojnë shqiptarë, boshnjakë dhe serbë, qeveria e Serbisë ka investuar mjete të mëdha për ndërtimin deri më tani të 12 ndërtesave të larta (soliterë), të cilët janë populluar me serbë të zhvendosur nga komunat jugore të Kosovës dhe nga Serbia.

Në këto ndërtesa ka familje serbe që kanë ardhur nga Vushtrria, jugu i Mitrovicës, Istogu dhe Skenderaj, por edhe nga pjesë të tjera të Kosovës.