Qeveria i kërkon BE-së fleksibilitet rreth Demarkacionit

Aktuale December 18, 2017 - 19:09

Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Ramush Haradinaj, vazhdojnë të besojnë se Bashkimi Evropian do të lëshojë pe në kushtet dhe kriteret e vëna për liberalizimin e vizave.

Synimi i kryeministrit Haradinaj është që të heq nga kushtet për liberalizimin e vizave, sidomos çështjen e ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, thotë se vënia e Demarkacionit si kusht për heqjen e vizave do të diskutohet me zyrtarët e Bashkimit Evropian.

"Të gjitha opsionet janë të hapura, që do të thotë se mund të hiqen apo mund të dalin në tavolinë edhe opsione tjera", tha Matoshi.

Vënia e ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si kusht të pazëvendësueshëm për heqjen e vizave, në Prishtinë vazhdon të shihet si një padrejtësi që i është bërë Kosovës nga ana e Brukselit.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se duket më se e pamundur që Bashkimi Evropian të heq dorë nga kriteret e vëna për liberalizmin e vizave. Ai thotë se diçka e tillë do të ishte e mirëseardhur, por duket pak e besueshme.

"Një vijë kufitare e padefinuar si kjo e jona me Malin e Zi, nuk mund të quhet ndryshe vetëm se problem. Prandaj, unë nuk besoj që diçka e tillë (heqja e kushtit) do të ndodhë. Do të thotë se BE-ja do ta mbajë kursin e vet. Kurse u mbetet institucioneve tonë që t'i plotësojnë kërkesat e BE-së. Do të ishte diçka e mirë nëse do të mund të ndodhte (heqja e kushteve) ngase ka të bëjë me lëvizjen e lirë të njerëzve. Por, megjithatë nuk e besoj se do të mund ndodhë", tha Ujkani.

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, bashkë me gjetjet e Komisionit shtetëror, ku konstatohet parregullsi në marrëveshjen e Kosovës dhe Malit të Zi, tashmë është deponuar në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht në Komisioni për Punë të Jashtme.

Por, ende nuk dihet se kur do të procedohet kjo çështje në seancë plenare për votim. Nënkryetarja e Komisioni për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha  se Projektligji për demarkacioni ende nuk është futur në agjendë.

"Ndoshta do të ketë një debat në komision. Brenda një takimi të komisioni ai duhet të kalojë ose të mos kalojë, ose të marrë më shumë vota pozitive ose negative, po megjithatë procedohet më tutje. Ka dy javë që nuk kemi pasur mbledhje të komisionit dhe po presim kur do të procedohet", tha Kadrijaj.

Në anën tjetër, Komisioni Evropian në disa raste ua ka përsëritur, kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës, se pa ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, Kosova nuk mund të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar nga autoritetet e Prishtinës dhe Podgoricës, në fund të gushtit të vitit 2015, në Vjenë. E njëjta marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës. Për ratifikimin e saj nevojiten 80 vota të deputetëve.