Këto janë fjalët e para të Haki Rugovës pas fitores

Aktuale December 18, 2017 - 17:14

LDK ka mbajtur një konferencë për media për të folur rreth fitores së saj në komunën e Istogut.

Kreu i partisë, Isa Mustafa ka thënë se LDK nuk ka garuar vetëm kundër AAK-së, por edhe kundër PDK-së, Vetëvendosjes, Nismës dhe kundër kryeministrit Ramush Haradinaj.

Mustafa i ka quajtur kauzat e këtij të fundit të rreme, duke vënë theksin tek demarkacioni.

Mustafa është shprehur se ashtu siç ka dështuar AAK-ja në Istog, ashtu do dështojë edhe në këto kauza të rreme të saj.

“Ne kemi garuar me një koalicion të AAK-së, PDK-së, të Vetëvendosjes, të Nismës, të kryeminsistrit të Qeverisë së Kosovës, por kemi arritur të fitojmë dhe është fitore shumë e madhe e kandidatit tonë, e LDK-së dhe Kosovës. Na vjen keq që qytetarët e Istogut janë detyruar të dalin të votojnë tri herë. Ashtu sic dështoi Aleanca dhe aleatët e saj, mendoj se do të dështojnë edhe në projektet e tyre të tjera të rreme sic është demarkacioni, dhe do të dorëzohen një nga një ashtu sic janë dorëzuar sot në Istog. Ne si LDK jemi treguar si parti e qëndrueshme, serioze dhe si parti që e di cfarë bën për Kosovën dhe për qytetarët e saj”, ka thënë ai.

Fjalën në konferencë e mori edhe kryetari i zgjedhur nga istogasit, Haki Rugova. Ai e ka quajtur procesin zgjedhor në Istog të “qoroditur”.

Megjithatë, ai ka thënë se në Istog sa herë që të votohet, fituese do të dalë LDK-ja.

“Në çdo votim që do ndodhë në Istog, LDK do jetë fituese. Më vjen keq që në Istog ndodhi një proces i qoroditur zgjedhor i cili megjithatë u dëshmuar se istogasit nuk i pranojnë konceptet e tilla të personave që tentojnë të marrin pushtetin në atë mënyrë”, ka thënë ai.

Kujtojmë se Rugova ka fituar kundër Dreshajt me vetëm 15 vota më shumë. /Indeksonline/