Vetëvendosje njofton zyrtarisht për vendimet e mbledhjes së sotme

Aktuale December 17, 2017 - 20:52


Këshilli i përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, me anë të një shkrimi të publikuar në rrjetin social “Facebook”, ka bërë të ditur vendimet që kanë marrë në mbledhjen e mbajtur këtë të diele.

Njoftimi i plotë:

“Këshilli i Përgjithshëm vendos për zgjedhjet e reja për kryetar të Lëvizjes

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur mbledhjen e XXXI-të të Këshillit të Përgjithshëm. Kryesuesi i këtij Këshilli, Hydajet Hyseni, i përshëndeti të burgosurit politikë: Albin Kurtin e Donika Kadajn e po ashtu Atdhe Arifin, Egzon Halitin, Frashër Krasniqin dhe të dënuarën Adea Batusha.

Nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku në fjalën e saj drejtuar delegatëve të Këshillit dhe tha se ‘kjo nuk është mbledhje e jashtëzakonshme, e parakohshme apo e njëanshme. Është e zakonshme dhe e paraparë me statut’. Kollçaku i përshëndeti si suksese të muajve të fundit edhe tri fitoret e komunave të Prishtinës, Prizrenit dhe Dardanës.

Ndërkaq, delegatëve të Këshillit, deputeti Albin Kurti i është drejtuar me një letër të cilën e lexoi delegati Arben Vitia. ‘Kemi rrethanë shumë të volitshme për ta rrëzuar qeverinë sepse opozita është me e madhe se pozita dhe VETËVENDOSJE! është partia më e madhe. Ky shansi yni është shpresa e popullit’, thotë Kurti në këtë letër nga burgu.

Në këtë mbledhje u vendos me votim unanim për zgjedhjet e reja të brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, afati i të cilave do të caktohet nga Komisioni i Përgjithshëm Zgjedhor i Lëvizjes.

Po ashtu, në këtë mbledhje u votua edhe për koalicionet zgjedhore lokalë, në Prishtinë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleancën Kosova e re, në Prizren me Nismën për Kosovën, në Klinë me AAK dhe në Vushtrri me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Këshilli i Përgjithshëm