'Lista Serbe bëri mirë që mbështeti Haradinajn për kryeministër'

Aktuale December 16, 2017 - 22:33

Ministri Dalibor Jevtiq thotë se fëmijët serbë duhet të mësojnë gjuhën shqipe.

Ministri i Qeverisë së Kosovës, Dalibor Jevtiq thotë se serbët dhe shqiptarët duhet të ndërtojnë besimin dhe se fëmijët serbë të Kosovës duhet të mësojnë gjuhën shqipe për të siguruar komunikim më të mirë për të ardhmen.

“Fjala kyçe sot në Kosovë është besimi, i cili duhet të ndërtohet mes dy komuniteteve dhe ndaj institucioneve [shtetërore]”, tha për BIRN në një intervistë Dalibor Jevtiq, Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

“Njohja e gjuhës shqipe është një domosdoshmëri për komunitetin serb. Shumica e gjeneratave të moshës së mesme dhe atyre më të vjetër të shqiptarëve e njohin serbishten, gjë që nuk është rasti me popullsinë serbe dhe kjo duhet të ndryshojë gjithashtu”, tha Jevtiq.

Jevtiq, anëtari i Kryesisë së Listës Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi që ka shërbyer si ministër në tri qeveri të Kosovës, ka thënë se në përvojën e tij profesionale dhe personale ka mësuar që gjithmonë të vendosë jetën e njerëzve të zakonshëm para politikës.

“Politika e jetës para politikës, ka provuar veten të jetë shumë e frytshme, pasi gjatë disa viteve të kaluara nuk kemi parë ndonjë incident me një rezultat vdekjeprurës midis komuniteteve shqiptare dhe serbe”, tha ai.

“Dhe nëse ne shtyjmë më shumë në këtë drejtim, të kapërcejmë stereotipat dhe të lirojmë të kaluarën në mënyrë që ta bëjmë më të mirë të ardhmen, jeta do të triumfojë në Kosovë”.

‘Serbët kishin të drejtë të mbështesin Haradinajn’

Jevtiq mendon se vendimi i Listës Serbe për të mbështetur qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, kryeministri i ri i Kosovës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u lirua nga akuza për krime lufte nga Tribunali i Hagës në vitin 2007, tashmë ka treguar se ka qenë një zgjedhje e mirë.

“Tani po bëjmë njëfarë përparimi për çështje shumë të vështira të cilat kanë ngecur për një kohë të gjatë”, tha Jevtiq.

“Nëse flasim për jetën e serbëve në Kosovë, nuk është e njëjtë në jug dhe në veri të Kosovës. Ky është fakti që duhet të merret në konsideratë nga ndonjë politikë. Kam gjetur se kryeministri është i vendosur të trajtojë çështjet si ajo që kemi në Gjakovë, i cili është ende një qytet i ndaluar për serbët. Ai më tha se do të shkojmë atje së bashku dhe do të zgjidhim këto probleme”.

Gjakova është një qytet në jug-perëndim të Kosovës ku kishte shkatërrime në shkallë të gjerë gjatë konfliktit të viteve 1998-99 dhe ku pësuan viktima të shumta civile, kryesisht në mesin e shqiptarëve.

Në vitin 2015, një përpjekje për të organizuar një vizitë për serbët e zhvendosur në shtëpitë e tyre të mëparshme në Gjakovë, u prit me protesta dhe me gjuajtje të gurëve në autobusët e tyre.

Kjo shkaktoi dorëheqjen e paraardhësit të Jevtiqit, Aleksandar Jablanoviq, pasi ai e quajti incidentin barbar dhe u shkarkua pastaj nga qeveria nën presionin publik në rritje.

Jevtiq tha se të kuptuarit popullor që serbët duhet të fajësohen për gjithçka, e cila është ende e përhapur në disa pjesë të Kosovës, duhet të trajtohet, por theksoi se kjo nuk është një detyrë e lehtë.

“Kryeministri Haradinaj nuk duhet t’ia dëshmojë patriotizmin e tij askujt, ndryshe nga paraardhësi i tij Isa Mustafa dhe kjo është arsyeja pse unë jam i bindur se ai mund ta bëjë këtë”, tha ai...(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Kallxo.Com)

Image