Hoxhaj takon shefin e Zyrës Kineze, diskutojnë marrëdhëniet ekonomike dhe politike

Aktuale December 16, 2017 - 17:29

Zëvendës kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka zhvilluar takim me shefin e Zyrës Kineze në Kosovë, Zhang Wuzhuan.

Hoxhaj ka njoftuar për takimin përmes një fotografie të postuar në llogarinë e tij në "Twitter".

Hoxhaj ka shkruar se me shefin e zyrës kineze në Kosovë, kanë shkëmbyer pikëpamje se si mund të intensifikohet bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Kinës.

Po ashtu, ata kanë diskutuar për zgjerimin e konsultimeve politike në tema të interesit të përbashkët të të dyja shteteve.

Po ashtu, Hoxhaj ka konfirmuar edhe mbështetjen e Kosovës për politikën e “Një Kine”.

Si vazhdimësi e diplomacisë së Kosovës për ruajtjen dhe përafrimin e raporteve me Kinën, vendi ynë ka parandaluar cdo lloj raporti apo marrëdhënieje me Taivanin, të cilin Kina e konsideron pjesë të saj.

Kina ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, mirëpo ka luajtur rol më shumë neutral sesa kundërshtues ndaj vendit tonë.

Ky shtet ka mbështetur misionin e OKB-së në Kosovë si dhe hapjen e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e OKB-së.