Lufta kundër korrupsionit, kusht i 'harruar' për liberalizimin e vizave
Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli mbrëmë e ndërlidhi liberalizimin e vizave direkt me ratifikimin e demarkacionit, duke thënë se nëse miratohet ky version, atëherë vizat hiqen në qershor.
Një gjë të tillë e tha edhe Ramush Haradinaj. Madje ai premtoi se kosovarët do të lëvizin lirshëm qysh në muajin mars.
Por, Pacolli sikur edhe zyrtarë të lartë, duke u fokusuar te shenjëzimi i kufirit me Malin e Zi, duket se po e harrojnë kriterin tjetër kryesor për heqjen e vizave, e që është luftimi i korrupsionit.
Se vetëm me ratifikimin e demarkacionit nuk hiqen vizat, po thotë edhe Lutfi Haziri nënkryetar i LDK-së.
Ai dje deklaroi për lajmi.net se kriteri për luftimin e korrupsionit vetëm po forcohet, dhe se me këtë qeveri liberalizimi në muajin mars është i pamundur.
Luftë kundër korrupsionit kanë kërkuar vazhdimisht edhe kori diplomatik në Kosovë, që këtë e kanë cilësuar si një nga problemet më të mëdha në vend.
Në javën kundër korrupsionit shefja e BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova kishte deklaruar se Kosova duhet të punojë shumë në luftën kundër korrupsionit.
“Bashkimi Evropian përmes raportit për vendin dhe për procesin e liberalizimit të vizave, për reformën e legjislacionit e ka rekomanduar Kosovën që të ndërmarrë hapa të fuqishëm në luftimin e korrupsionit si pjesë e rrugëtimit të saj drejt BE-së. Zyrtarët publikë të cilët janë të akuzuar për vepra korruptive duhet që të suspendohen nga puna, kurse ata të cilët janë të dënuar për këto vepra duhet që menjëherë të largohen nga zyra.”, kishte thënë Apostolova.
Por, qeveria e Kosovës pretendon se e ka marrë më seriozitet sundimin e ligjit në përgjethesi, dhe luftimin e korrupsionit në veçanti.
Në një përgjigje me shkrim për lajmi.net, zyra për informim e Qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë masa konkrete që ky kusht për heqjen e vizave të plotësohet.
“Në takimet e nivelit të lartë për sundim të ligjit që i udhëheq kryeministri, çështja e luftimit të korrupsionit është trajtuar me seriozitet. Ministria e Drejtësisë tashmë ka ndërmarrë hapa konkret për të ndryshuar Kodin Penal, koncept dokumentin për shkarkimin e zyrtarëve të lartë, por edhe për të ndryshuar ligjin për Agjencinë Kundër Korrupsionit”, thuhet në përgjigjen e qeverisë.
Tutje thuhet se korrupsionin Kosova duhet ta luftojë me institucionet e veta.
“Për më shumë ndryshimet legjislative për të evituar konfliktin e interesit e bënë këtë mobilizim edhe më të intensifikuar. Kosova duhet të luftojë korrupsionin me institucionet e veta”, ka bërë të ditur zyra për informim e qeverisë.
Ditë më parë gjatë javës kundër korrupsionit, shumë organizata joqeveritare paraqitën raporte e tyre që treguan trajtimin e dobët të gjykatave për këto raste.
Madje ata ndërmorrën edhe aksione te Pallati i Drejtësisë. U vendosën banesa me porosi të qarta se korrupsioni duhet të luftohet sidomos në shëndetësi, në fushën e prokurimit dhe arsimit.
Kurse nga statistikat e Policisë së Kosovës del se në 11 muajt e vitit 2017 janë hetuar rreth 160 raste të veprave penale të korrupsionit. Janë ngritur 113 kallëzime penale ndaj 245 personave.
Sipas këtyre të dhënave, me rëndësi të madhe ka qenë lufta e korrupsionit në profilin e lartë.
Departamenti special i Policisë Antikorrupsion, gjatë këtij viti ka bërë 6 kallëzime penale ndaj 14 të dyshuarve për vepra të korrupsionit.
Nga to janë ngritur 6 aktakuza, kurse në hetim janë 40 raste të tjera. /Lajmi.net/