Hoti: Puna më e madhe e Haradinajt - emërimi i zëvendësministrave

Aktuale December 16, 2017 - 10:54

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se qeveria “Haradinaj” gjatë këtij 100-ditëshi vetëm se e ka ngarkuar buxhetin e Kosovës me një numër të madh të të punësuarve në kabinetin qeveritar.

“E vetmja punë e madhe është madhësia e Qeverisë me 22 ministra e rreth 70 zëvendësministra, me 500 veta staf përcjellës të këshilltarëve dhe të asistentëve. Programi qeverisës nuk i reflekton prioritetet që ka Kosova”, ka thënë ai.

Hoti ka kritikuar edhe projektbuxhetin për vitin 2018. Po ashtu të dështuar e quajti vendimin për ta dërguar në Kuvend marrëveshjen e njëjtë për çështjen e demarkacionit.

“Buxheti i vitit 2018, i cili ka ardhur në Kuvend, nuk i reflekton prioritetet dhe nuk buron nga programi qeverisës. Në çështjen e demarkacionit është dështim i plotë pasi Kuvendit i sillet e njëjta marrëveshje. Premtimi ka qenë që të arrihet marrëveshje tjetër dhe të dokumentohet se kufiri është shënuar gabim me marrëveshjen paraprake, e cila tash është sjellë në Kuvend bashkë me projektligjin për ratifikim të saj pa ndryshuar asnjë presje”.