Edhe ky analist ka disa fjalë për përçarjen e VV-së dhe për Albin Kurtin!

Aktuale December 15, 2017 - 22:02

Analisti politik, Fadil Lepaja në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje.

Lepaja ka thënë se Vetëvendosje pa Albin Kurtin nuk është Vetëvendosje, por është një grup pa identitet dhe pa vizion.

Ai më tej ka thënë se personat që kanë krijuar një situatë të tillë në VV-në kanë pritur reagim nga Albin Kurti, por që ai e ka menduar mirë pjesën e heshtjes.

“Heshtja e Albinit është e menduar mirë, sepse kushdo që fshihet prapa kësaj krize të sforcuar artificialisht, përmes një sharjeje kolektive të Albinit, ka llogaritur në reagimin dhe devalvimin e tij.

Thjesht, Vetëvendosja pa z. Kurti nuk është Vetëvendosje, por është vetëm një grup pa identitet dhe pa vizion”, ka deklaruar ai, raporton Gazeta Blic.

Lepaja ka thënë se krejt kjo çka po ndodhë në VV-në ka një synim për ta përçarë Kreun e saj dhe për ta shpallur këtë parti të jashtëligjshme.

“Mendoj se krejt kjo, përfshi edhe riaktivizimin e gjykimit ndaj deputeteve të VV dhe z.Kurti është një skenar i menduar për të devalvuar kreun e saj, për ta përçare dhe në rastin më të mirë për skenaristët, për ta shpallur të jashtëligjshëm, partinë e cila i mundi në dy palë zgjedhje”, tha ai.

Sipas tij gjithë kjo situatë në Vetëvendosje është sajuar nga mediat e instrumentalizuara nga individë që krijojnë kriza me porosi.

“Kështu, mendoj se krejt kjo situate në Vetëvendosje është e sajuar nga mediat e instrumentalizuara dhe fushata në rrjetet sociale e grupeve dhe individëve të instrumentalizuar që krijojnë kriza me porosi”, ka thënë ai.

Duke folur për krizën nëpër të cilën po kalon VV-ja, Lepaja ka thënë se kjo situatë ka gjasë të jetë krijuar edhe për shkak të asaj se deputet e VV-së pritet të votojnë ndryshe për disa çështje të rëndësishme përfshirë edhe demarkacionin.

“Duke marrë parasysh se sa rrufeshëm, ndodhi gjithçka, si dhe çfarë përkrahje mori kjo kritikë drejtuar udhëheqësit historik dhe shpirtërorë të Lëvizjes Vetëvendosje, nga ana e mediave presidenciale dhe qeveritare, atëherë kjo ka shumë gjasa të jetë krijim i atmosferës që deputetët e Vetëvendosjes, të votojnë ndryshe rreth dy tri çështjeve të mëdha që priten të shtrohen para deputeteve.

Pra mendoj se krijimi i hutisë dhe blloqeve, të përkohshme në Vetëvendosje, synohet të sigurohen disa vota për demarkacionin apo edhe çështje tjera me rëndësi për konjukturën qeverisëse”, është shprehur ai, përcjell Gazeta Blic. 

Ndërkohë, kujtojmë se pakënaqësitë në Lëvizjen Vetëvendosje kanë filluar të dalin në shesh menjëherë pas publikimit të një bisede mes deputetëve të VV-së në Viber, ku deputetja Aida Dërguti e ka quajtur ‘mut’ themeluesin e VV-së, Albin Kurti.

Dërguti pas publikimit të këtij lajmi ka dhënë dorëheqje nga posti i anëtares së kryesisë si dhe nga posti i kryetarës në Vushtrri.

Pas kësaj doli se ish-sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj në mbledhjen e kryesisë ka kërkuar moskandidimin e Albin Kurti për kryetar të Lëvizjes.

Molliqaj kishte përmendur disa çështje me të cilat nuk pajtohet me Albin Kurtin, por ai ka mohuar se VV-ja po përçahet madje ai ka thënë se VV mund ta ndajnë vetëm ata.

Deri më tani nuk ka pasur ende përgjigje nga themeluesi dhe njëherit deputeti i VV-së, Albin Kurti.