Pacolli jep përgjigjen 'përfundimtare', flet për Demarkacionin dhe liberalizimin e vizave!

Aktuale December 15, 2017 - 21:27

Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi do të shkojë në Kuvend në mesin e muajit shkurt, dhe më së largu në muajin qershor, Kosovës do t’i hiqet regjimi i vizave.

Në një qëndrim të tillë po vazhdon të këmbëngul zëvendëskryeministri i parë i Kosovës e njëherë ministër i punëve të jashtme Behgjet Pacolli.

Megjithëse nuk pajtohet me kushtin e BE-së, për demarkacionin ai i fton deputetët për ta votuar atë.

 Ai ka thënë për Tribuna Channel se viti 2018 do jetë vit i sfidave, por edhe i arritjeve të mëdha përfshirë këtu vizat.

“Nëse kalon demarkacioni në gjysmën e muajit shkurt të vitit të ardhshëm, atëherë kosovarët mund të lëvizin lirshëm gjatë verës”, ka thënë Pacolli.

 Por Jeta Krasniqi nga KDI thotë se kushtet cilat janë kërkuar nga ana e BE-së si demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit, nuk mund të tejkalohen në një afat kaq të shkurtër kohor.

Ministri i Punëve të Jashtme foli edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin tha se duhet angazhim i gjithëve.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se liberalizimi i vizave do të ndodhë në mars të vitit të ardhshëm. 

Po ashtu, sipas tij, po këtë muaj do të formohet edhe ushtria e Kosovës.