Rugova: Unë s’kam ardhur prej bordeleve e kazinove të Gjermanisë

Aktuale December 15, 2017 - 18:52

Kandidati i LDK-së për Istogun, Haki Rugova ka folur për kundërkandidatin e tij, Gani Dreshaj nga AAK-ja duke mos dashur të krahasohet me të.

“Nuk po e shoh veten të krahasueshëm në këtë kuptim, në fjalorin popullor thuhet “kur të niset një punë me një njet të keq, me qëllim të keq, nuk e shoh se përfundon mirë” dhe kjo është dallimi esencial”.

Madje Rugova në Info Magazine të Klan Kosovës ka “goditur” rëndë kundërkandidatin e tij në këtë garë, Gani Dreshajn.

“Një njeri që vërtetë është tërësisht i dyshimtë, me të gjitha ato veprime”.

“Unë jam këtu në Istog, nuk kam ardhur prej bordeleve të Gjermanisë, apo prej qarqeve të ndryshme, të kazinove apo ku di unë çka”.

“Koncepti im qeverisës dallon, është shumë larg nga një koncept i tillë që tentohet të instalohet në Istog, besa edhe krejt Kosovën dhe kjo është ajo që më motivon mua”.

“Unë jam shumë vjet me këta qytetarë, këtu kam jetuar dhe këtu do të jem në shërbim të këtyre qytetarëve, siç kam qenë gjithmonë, jam krenar me Istogun”.

Rugova në fund u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dielën e 17 dhjetorit të dalin dhe të votojnë për të parin e Istogut.

“Qytetarëve u them çdo ditë dhe po pres prej tyre, kërkoj prej tyre që në mënyrën më të mirë, ashtu siç iu ka hije istogasve, qetësisht, siç thoshte Rugova “vishuni mirë, dukuni bukur dhe dilni me votu””.

“Dalja e fuqishme e të gjithë atyre që kanë të drejtë të votës, vota është e shenjtë dhe këtë votë duhet ta fitojmë, vota fitohet tek kutia e votimit dhe jo në forma të tjera”.

“I ftoj që të dalin të gjithë, të rinjtë, gratë, pleqtë, të rejat, të gjithë ata, për të votuar”.