Deputetët përplasen për 'Kosovën e Re'

Aktuale December 15, 2017 - 08:06

Nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re” ka nxitur debat në seancën e Kuvendit, që u mbajt të enjten.

Deputetët, ani pse konsiderojnë se ndërtimi i këtij termocentrali është jashtëzakonisht i nevojshëm, thonë se me ndërtimin e tij Kosova do ta dëmtojë rëndë Kosovën, kjo pasi “Kosova e Re” vendit do t’i kushtojë 1.3 miliard euro, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Deputetët e opozitës këtë projekt e konsideruan si skandaloz, përderisa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (pjesë e Qeverisë) nuk nguruan t’i marrin meritat për këtë marrëveshje, duke thënë se ky projekt u finalizua si produkt i punës së mirë sa PDK-ja ishte në krye të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka përgëzuar kosovarët pas arritjes së marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

“Pas një pune të madhe të shumë njerëzve, ekspertëve dhe të gjitha qeverive të Republikës së Kosovës, sot është arritur marrëveshja për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, që është investimi më i madh në historinë e re të Kosovës.

LEXO EDHE: Përplasjet çojnë në ndarje

Ai ka thënë se kjo marrëveshje është një e arritur e madhe e popullit të Kosovës, që ndikon në konsolidimin e shtetit. Pas nënshkrimit të kontratës, siç tha ai, ky projekt siguron pavarësinë energjetike të Kosovës.

“Termocentrali do të ndërtohet me parametrat e fjalës së fundit të teknologjisë, që mundëson mbrojtjen e mjedisit, siguri për investitorët e huaj në fushat të tjera, si dhe vende të reja të punës”, tha ai.

Po ashtu Haradinaj tha se me kapacitetet e reja do të mundësohet zgjerimi i rrjetit të ngrohjes për qytetin e Prishtinës, Obiliqit, Drenasit dhe të Fushë Kosovës.

Ymeri: Projekt skandaloz

Kreu i lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, e ka quajtur skandaloz projektin për termocentralin “Kosova e Re”, për ndërtimin e të cilit tashmë është nënshkruar marrëveshja.

Ymeri tha se ky projekt dëmton ekonominë e Kosovës.

“Dje është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, ky është projekti më i madh pas luftës, por edhe jotransparent. Ky projekt është skandaloz, pas privatizimit tash po zbatohet faza e dytë e privatizimit. Ky privatizim nuk ka se si të jetë ndryshe, veç privatizim i shtetit”, ka thënë ai.

Me këtë marrëveshje ai tha se Qeveria ia ka shuar mundësitë Kosovës për zhvillim ekonomik.

“Me këtë kontratë ne po heqim dorë nga infrastruktura jonë. Ne po heqim dorë nga një mundësi që e ka ekonomia e Kosovës”, ka thënë Ymeri.

Ai tha se çmimi i energjisë elektrike rrezikon te rritet për 40% në vitet e ardhshme.

“Kjo do të shkaktojë probleme për qytetarët, të cilët edhe sot e kanë vështirë ta paguajnë energjinë elektrike”, ka thënë ai.

Beqa: “Kosova e Re”, rezultat i punës së PDK-së

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, është shprehur i kënaqur me nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, por tha se kjo marrëveshje është rezultat i punës së ish-ministrit Blerand Stavileci.

“Gjendemi para një fakti të pamohueshëm, që ky është njëri nga projektet më të rëndësishme, i cili synon pavarësinë e ekonomisë sonë. Projektet e mëdha që i ka filluar qeverisja e PDK-së do të jenë të prekshme për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

“Do të jete një investim prej 1.3 miliard eurosh dhe do t’i mundësojë 10 mijë vende të reja të punës”, ka thënë ai.

Ai ka inkurajuar Qeverinë për projekte të tilla të mëdha.

Zeka: ZRRE-ja të dërgohet në Gjykatë për zhvatje të qytetarëve

Ndërkaq deputeti Milaim Zeka ka përgëzuar kryeministrin Haradinaj për nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”.

“Të përgëzoj për kontratën për punën e termocentralit, ka qenë i nevojshëm për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Zeka ka kërkuar që Zyra e Rregullatorit në vend të dalë para Gjykatës për, siç tha ai, mashtrimin që ua ka bërë qytetarëve të Kosovës.

Haradinaj: Dialogu nuk ka logjikë nëse s’përfundon me njohje reciproke

Gjatë diskutimit në seancë kryeministri Haradinaj tha se nuk ka logjikë që Kosova ta vazhdojë dialogun Kosovë-Serbi nëse nuk i jep fund njohjes së ndërsjellë.

Po ashtu u diskutua edhe për Marrëveshjen për Drejtësi, për të cilën Haradinaj tha se është një nisje e gjyqësorit në veri.

Ai theksoi se kjo marrëveshje nuk është perfekte, porse nëse rezistojnë si Kosovë, atëherë mund ta shtrijë ligjin sipas Kushtetutës edhe në atë pjesë të vendit.

Këtë deklaratë kryeministri Haradinaj e dha pas pyetjes së deputetes Albulena Haxhiu se cili është qëndrimi i kryeministrit rreth kësaj marrëveshjeje.

“Marrëveshja për Drejtësi është produkt i dialogut në Bruksel. Çfarë produkti, një produkt i tillë të paktën e synon një nisje të gjyqësorit në veri. Kuptohet, nuk e quaj perfekt, por është një nisje e gjyqësorit në veri dhe është një ndryshim përmbajtjesor për shtrirjen e ligjit edhe në veri, pra ligjit dhe Kushtetutës së vendit, sepse korniza dhe ligjet në bazë të të cilit operohet janë ligji dhe Kushtetuta e vendit. Kur them nuk është perfekt, Kosova ka ende rrugë dhe punë të bëjë, ta arrijë shtrirjen e ligjshmërisë në veri dhe të rendit”, theksoi Haradinaj.

Ai po ashtu foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin tha se ka ngecje dhe nëse nuk përfundon me njohje reciproke është i kotë.

“Vlerësimi im në tërësi për dialogun është se pas marrëveshjes së prillit 2013 ka një ngecje dhe i dini ato kualifikimet e mia që është humbur shumë kohë për Kosovën, është i tillë, mbetet i tillë, bazohet në substancë. Nuk ka logjikë që Kosova ta vazhdojë dialogun nëse nuk i jep fund njohjes së ndërsjellë me Serbinë”, tha ai.

Po ashtu deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar sqarim kryeministrit se pse ligji që kufizon numrin e zëvendësministrave nuk po sillet ende në Kuvend.

Ajo ka akuzuar Qeverinë aktuale për numrin tejet të madh të këtyre pozitave, që i ka tashmë kabineti “Haradinaj”.

Por shefi i Qeverisë, duke iu përgjigjur Haxhiut, tha se nuk është për t’u lëvduar sa i përket kësaj situate, pasi e njëjta është si rrjedhojë e asaj se si është bërë Qeveria.

Në seancë po ashtu, përveç diskutimeve të tjera e shqyrtimeve të pika të rendit të ditës, u miratua edhe Projektligji për Ndërmarrjet Sociale.

Ky projektligj u miratua me 64 vota pro, nga 67 deputetë sa ishin gjithsej në seancë.