Muja: Nuk kam kryer vepër penale, por vepër humane (Video)

Aktuale December 14, 2017 - 19:59

Ish-kryetari dhe zyrtarë e ish-zyrtarë të tjerë të Komunës së Prizrenit janë deklaruar të pafajshëm pas leximit të aktakuzës, e cila i ngarkon me veprën – keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar.

“Nuk i pranoj, nuk jam fajtor nuk e ndjej vetveten fare fajtor unë nuk kam bërë kurrfarë vepre penale por kam bërë vepër humane ngase kam hapur rreth 220 vende të reja të punës”, deklaroi ish-kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja.

Gjatë leximit të aktakuzës nga prokurorja e Prokurorisë Speciale, Fikrije Fejzullahu, doli në pah se në aktakuzë ende figuronte emri i tanimë të ndjerit, Kadri Ukimeri, për të cilin Gjykata e Apelit kishte vendosur të që pushojë ndjekja penale.

E më pas ajo pas leximit të aktakuzës kërkoi pauzë prej 15 minutash për të bërë ndryshimin e dispozitivit të aktakuzës kundrejt tanimë të ndjerit Kadri Ukimeri me arsyetimin se ajo vetë është e vetëdijshme që kundër një të vdekuri nuk mund të ushtrohet ndjekje penale.

“Mos të vihem në siklet, tani ta rregulloj kisha kërku një 10-15 minutësh me e bë me shkrim dhe gjithçka shkon në rregull, sepse unë jam shumë e vetëdijshme që kundër të vdekurit nuk mund të lexohet dhe zhvillohet aktakuzë penale”, tha prokurorja.

Mirëpo, për shkak se prokurorja u vonua më shumë, kryetari i trupit gjykues u detyrua t’i telefononte dhe ta ftonte të vinte në sallën e gjykimit.

Gjatë seancës, pati edhe një përplasje mes prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës rreth pranisë në gjykatë të përfaqësuesve të EULEX-it, pasi që njëri nga ata propozoi që të ndërpritej shqyrtimi gjyqësor në mungesë të përfaqësuesit të palës së dëmtuar.

“Unë kundërshtoj që të jap fjalën hyrëse prokurori i EULEX-it sepse ai nuk është i autorizuar por është vetëm monitorues, sepse ashtu u prezantua si monitorues”, deklaroi Rexhep Hasani, avokat i Avni Ademajt.

“Ne jemi ekip i përzier, nuk jam monitorues dhe e dyta unë nuk jam ngritur për të dhënë fjalë hyrëse, dhe e treta duke u përpjekur që të mbetem brenda suazave të procedurës penale, neni 328 tregon se rendi për dhënien e fjalës hyrëse fillon me prokurorin pastaj shkon te pala e dëmtuar pastaj shkon te pala mbrojtëse” tha përfaqësuesi i EULEX-it Drew Engel.

Por kjo kërkesë u hodh poshtë nga trupi gjykues.

“Atëherë trupi gjykues bie aktvendim, refuzohet propozimi i prokurorisë për shtyrjen e seancës së sotme” deklaroi kryetari i trupit gjykues.

Ndryshe, kjo ishte seanca e shqyrtimit fillestar e rigjykimit të Ramadan Mujës dhe të tjerëve.

Ramadan Muja dhe të tjerët akuzohen se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit

Muja për katër pikat e aktakuzës u dënua me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.

Edhe Krasniqi nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Rasti Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit.

Dhe më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta kthej në rigjykim.

Gjatë ditës së djeshme Ramadan Muja i dorëzoi detyrën e kryetarit të komunës tanimë kryetarit të ri të Prizrenit Mytaher Haskukës. /Kallxo.com