Merkel: BE-ja ka nevojë për solidaritet të brendshëm për emigrantët

Aktuale December 14, 2017 - 19:10

Një qasje e re e presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk për të braktisur kuotat për shpërndarjen e emigrantëve në Bashkimin Evropian, nuk është e mjaftueshme, deklaroi sot kancelarja gjermane, Angela Merkel në samitin e BE-së ku migracioni është çështje kryesore.

“Mes shteteve anëtare të BE-së, nuk mund të ketë një solidaritet selektiv në kënd vështrimin tim”, theksoi ajo.

Merkel paralajmëroi se “sistemi aktual i migracionit në BE nuk po funksionon aspak, sepse po rikthen kufijtë e eleminuar mes vendeve kufitare, për këtë arsye është i nevojshëm solidaritet brenda BE-së”.

Gjatë ditëve të fundit, kryetari i Këshillit Evropian i ka dërguar drejtuesve të 28 shteteve anëtare, një letër në të cilën ai vlerësonte rolin e rëndësishëm të Komisionit Evropian për menaxhimin e migracionit dhe i quante kuotat e përcaktuara si joefektive dhe përçarëse, duke shkaktuar protesta nga shumë shtete anëtare dhe një përplasje institucionale me ekzekutivin e BE-së.