Aktuale

Serbia do t’ia 'fshijë' emrin Maqedonisë nëse e përkrah Kosovën në UNESCO

Serbia do t’ia 'fshijë' emrin Maqedonisë nëse e përkrah Kosovën në UNESCO
14 dhjetor 2017 • 13 : 19 Foto: Laura Hasani

Beogradi është duke përgatitur masa në rast se Shkupi e përkrah Kosovën në institucionet ndërkombëtare dhe është i mundur ndryshimi i vendimit për njohjen e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues dhe emërimin e shtetit si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, shkruan “Novosti”.

Siç transmeton Gazeta Express, Serbia do të ndërmarrë veprime radikale në rast se kryeministri Zoran Zaev i plotëson “kërcënimet” se do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Prishtina do të ketë mundësi të iniciojë pranimin në UNESCO vetëm pas dy viteve. Por, parimin e reciprocitetit në marrëdhëniet diplomatike dhe politike me Shkupin, Beogradi do të mund ta aktivizonte që në vitin 2018, për kur është paralajmëruar tentimi i ri për anëtarësim të Kosovës në Interpol.

Sipas informatave të “Novosti”, Beogradi me vëmendje do t’i përcjellë veprimet e Maqedonisë dhe deklarimin lidhur me pranimin e Prishtinës në organizatat ndërkombëtare dhe porosit se si do të sillet Shkupi ndaj interesave kombëtare serbe, ashtu edhe Serbia do të sillet ndaj interesave të Maqedonisë, përcjell Expressi.

Zaevi pardje në Prishtinë, ku u takua me kryeministrin Ramush Haradinaj, porositi se “Kosova mund të llogarisë me përkrahjen e Maqedonisë në të gjitha proceset”, porse theksoi edhe se “Serbia është fqinji i tyre”.

Kjo deklaratë e kryeministrit maqedonas erdhi pas më pak se një muaji pasi që në takimin me kreun shtetëror serb në Beograd e premtoi pikërisht të kundërtën - se Shkupi s’do ta përkrahë Kosovën në UNESCO.

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq veprimin e fundit të Zaevit e cilësoi si “edhe një dëshmi për dyfytyrësinë e kryeministrit maqedonas dhe të politikës së qeverisë në Shkup” dhe porositi se “Serbia do të dijë t’u përgjigjet këtyre mesazheve”.

Ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin tha se u tregua e vërtetë ajo që presidenti Aleksandar Vuçiq e kishte paralajmëruar muaj më parë – se Zaevi s’do ta mbajë fjalën.

 

© zëri.info