Haradinaj: Nuk lavdërohem me këtë numër të zëvendësministrave, por kemi koalicion të gjerë

Aktuale December 14, 2017 - 11:37

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj duke folur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se nuk lavdërohet me këtë numër të zëvendësministrave, por kjo sipas tij është rrjedhojë e një koalicioni më të gjerë.

Haradinaj duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Albulena Haxhiu lidhur me Projektligjin për Qeverinë, tha se ekziston një dokument bazë për këtë Projektligj por që Projektligji si i tillë nuk është ende gati.

Kreu i ekzekutivit tha se nuk e ka përkrahjen e partive në koalicion nëse Projektligji për Qeverinë prek anëtarët e ekzekutivit, prandaj sipas tij, Projektligji për Qeverinë që do të hynte në fuqi nga qeveria e ardhshme do të ishte formulë e duhur.

“Të paktën ata që formojnë qeverinë pas meje ta kenë një kornizë ligjore që i obligon”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se këtë Projektligj do të dërgojë në Kuvend në një moment të dakordimit politik.

Ai tha se nuk lavdërohet me këtë numër të zëvendëskryeministrave, por është rrjedhojë e një koalicioni më të gjerë.