Shkëlqimi dhe rënia e 'Vetëvendosjes'

Aktuale December 14, 2017 - 07:51

Ndarja eventuale si pasojë e përplasjeve të brendshme do të mundë ta rrëzonte nga “froni” lëvizjen “Vetëvendosje”, e cila në zgjedhjet e fundit ka fituar më së shumti ulëse në Parlament. Vlerësohet se PDK-ja dhe LDK-ja do të jenë fitueset më të mëdha nga çarja e partisë së Visar Ymerit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Brenda një viti (2017) lëvizja “Vetëvendosje” ka arritur ta përjetojë përforcimin më të madh që nga themelimi, por në të njëjtën kohë ka marrë edhe goditjen më të fuqishme qysh prejse ka dalë në skenën politike.

Gjatë zgjedhjeve të fundit nacionale, që u mbajtën këtë vit, ky subjekt arriti të sigurojë më së shumti ulëse në Parlament, duke u bërë partia më e votuar në vend (me mbi 200 mijë vota).

Edhe në zgjedhjet lokale po ashtu LVV-ja fitoi tri komuna gjithsej (Prishtinën, Prizrenin dhe Dardanën), duke e rritur numrin nga një sa e kishte, në tri sosh, shkruan tutje "Zëri".

Mirëpo ditëve të fundit kjo parti shënoi përplasjen më të thellë deri më tash. Kjo pas publikimit të disa bisedave, ku deputetja e LVV-së, Aida Dërguti, kishte ofenduar ish-liderin e kësaj partie Albin Kurtin.

Pas kësaj, deputetë e përfaqësues të tjerë të LVV-së u pozicionuan në dy taborë, disa në mbështetje të Kurtit e disa të tjerë në krah të Dërgutit, përkatësish të ish-sekretarit të partisë, Dardan Molliqaj.

E tërë kjo çoi deri te dorëheqja e Dërgutit (nga Kryesia e LVV-së dhe nga Dega e partisë në Vushtrri).

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se një  përplasje e tillë mund të çojë drejt përçarjes së kësaj partie, e cila mund të ndikojë negativisht në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme dhe në dobësimin e partisë më të madhe parlamentare në vend.

Por, pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e LVV-së shprehen të vendosur se nuk do të ketë ndarje të partisë.

Demhasaj: Nga dobësimi i LVV-së përfiton LDK-ja

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, duke komentuar zhvillimet e fundit brenda LVV-së, ka thënë se një gjë e tillë mund të dikojë negativisht në zgjedhjet e ardhshme po qe se ky subjekt nuk ia del ta tejkalojë si duhet këtë problem.

“Fillimisht, në rast se nuk arrijnë ta menaxhojnë këtë përplasje do të ndikojë që në zgjedhjet e ardhshme të ketë rënie kjo parti. Këtë e them duke u bazuar në atë që ka ndodhur tek partitë më herët, edhe rastet e tilla kanë bërë që të ketë rënie të votave te partitë politike. Njëjtë e kemi me LDK-në e me PDK-në”, ka deklaruar ai.

E kjo rënie e LVV-së, sipas tij, më së shumti do ta favorizonte LDK-në në skenën aktuale politike.

“Besoj që një rënie e tillë e favorizon LDK-në, sepse PDK-ja është duke kaluar në një krizë për shkak të ndërrimit të lidershipit dhe ndoshta në këtë rast LDK-ja mund të jetë ajo që përfiton më së shumti edhe prej PDK-së, edhe prej LVV-së (nëse nuk arrin ta kalojë si duhet këtë çarje)”, është shprehur Demhasaj.

Ai më tej ka thënë se një përplasje e tillë brenda LVV-së është pritur në njëfarë forme pas rritjes që ka pasur kohët e fundit.

Murati: Përplasja nuk do të rezultojë me përçarje

Pavarësisht tij, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se përplasja brenda “Vetëvendosjes” nuk do të rezultojë me përçarje të madhe të këtij subjekti.

“Është normale që secila shtëpi t’i ketë ato problemet e veta të brendshme, por unë nuk e shoh problemin në LVV si një problem që mund të çojë deri te një përplasje e madhe, një përçarje e partisë. Po shihet që kemi të bëjmë me një numër të caktuar të personave që ndoshta kanë pakënaqësi të brendshme e jo përçarje në dysh të subjektit politik. Të paktën ky është mesazhi që doli prej mbledhjes që pati LVV-ja”, ka deklaruar ai.

E një problem i tillë, sipas Muratit, ka ekzistuar qysh moti brenda LVV-së, porse ai është shpërfaqur tek ditëve të fundit.

Andaj për të mos e pësuar kjo parti, sipas tij, LVV-ja duhet ta menaxhojë dhe ta tejkalojë si duhet krejt këtë situatë.

“Duhet një pjekuri politike brenda LVV-së që të mos lejojë që  një problem i tillë të çojë deri te një përçarje, për shkak se kemi parë se çfarë efektesh mund të ketë një përçarje e një subjekti politik. Në rast se vjen te ndarja, në shumicën e rasteve subjekti dobësohet edhe me vota dhe normalisht që subjektet e tjera përfitojnë dhe dëmtojnë LVV-në në suksesin që ka pasur në dy palë zgjedhjet e fundit”, ka nënvizuar ai.

LVV: Nuk ka rrezik për përçarje

Ndërkaq deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Sami Kurteshi, duke mos dashur të flasë më shumë rreth situatës së fundit në LVV, është shprehur i vendosur se nuk do të ketë përçarje në këtë subjekt.

“Unë s’jam as kompetent, as i deleguar në lidhje me këtë çështje. Sa i përket rrezikut të përçarjes, rrezik nuk ka. Ai është një rast, ka ngjarë dhe ka marrë fund ajo çështje tash”, ka thënë shkurt Kurteshi.

Nga ana tjetër, analisti politik Fatmir Haxholli, gjersa ka folur rreth përplasjeve të fundit mes lëvizjes “Vetëvendosje”, ka vlerësuar se jodomosdoshmërisht ato do të sjellin efekte të pariparueshme.

“Është e kuptueshme që të gjitha partitë politike të kenë zhvillime të brendshme, shpesh të panjohura në thellësi nga publiku. Tensionet dhe përplasjet mund të kenë të bëjnë me diversitetin në qasje apo në mendime, sikurse të njëjtat mund të derivojnë nga konkurrenca e brendshme për ndikim e pushtet. Në rastin konkret, për aq kohë sa ky proces në LVV nuk ushqehet mbi parime jopolitike, nuk do të thosha se prodhon efekte të pariparueshme afatgjate”, është shprehur ai.

Përkundrazi, Haxholli ka thënë se i tërë epilogu varet prej asaj se si do ta menaxhojë situatën kjo parti.

“Nëse LVV-ja arrin ta mbajë këtë proces si zhvillim të brendshëm dhe të pandikuar nga zhvillimet e tjera politike e mediatike, atëherë kjo do të ishte një pikë e fortë e saj. Pra, krejt varet se si do ta menaxhojë LVV-ja dhe lidershipi i saj këtë proces, dhe jodomosdo nga momente të veçanta të këtij procesi. Po ashtu nuk ka një skenar të vetëm për një zhvillim të brendshëm tensionues a konkurrues dhe LVV-ja si parti tashmë me disa vite përvojë politike e ka në dorë ta menaxhojë ose jo këtë zhvillim”, ka theksuar ai.

Në të kundërtën, sipas tij, po qe se nuk arrin të gjendet në këtë situatë, LVV-ja mund të përfundojë e dobësuar.