Aktuale

Deputeti i VV-së: Deklaratat e Visar Ymerit nuk paraqesin të vërtetën e plotë

Deputeti i VV-së: Deklaratat e Visar Ymerit nuk paraqesin të vërtetën e plotë
13 dhjetor 2017 • 22 : 40

Pas një interviste të liderit të LVv-së Visar Ymeri, të dhënë sot rreth skandalit të fundit të kësaj partie, ka reaguar ashpër edhe deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, raporton zeri.info.

Aliu me këtë rast, ka thënë se ajo çka ka thënë Ymeri nuk paraqet të vërtetën e plotë dhe nuk është qendrim i shumicës së LVv-së. 

Më poshtë shikoni të plotë statusin e Aliut:

Definicioni i demokracisë së brendshme aplikohet nëpërmjet mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, zbatimit të frymës dhe gërmës së statutit edhe përmes zgjedhjeve të brendshme. Ku çdokush ka të drejtë të kandidojë për Kryetar të Lëvizjes përfshirë dhe Albin Kurtin.

Antidemokratike madje në kundërshtim të frymës e gërmës e statutit është që dikush brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! të vendosë kushte, e madje të shantazhojë me tendencën për të eliminuar dikë nga kandidimi për kryetar.  Kjo jo vetëm që është e papranueshme por është e dënueshme.

Po demokracia nuk është vetëm procedurë por është edhe procedurë. Ndaj ne duhet t’i ndjekim procedurat tona të brendshme demokratike. Nuk barazohet procedura që na e imponojnë institucionet e kapura me procedurën në një subjekt demokratik si Lëvizja VETËVENDOSJE!

Në këtë kuptim çka tha sot Visar Ymeri nuk është qëndrimi i shumicës  në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Madje ato janë të njëanshme dhe nuk paraqesin të vërtetën e plotë.

Kush thirret në unitet nuk pranon kushtëzimet.

Nga ana tjetër është e pakuptimtë të flitet për marrëveshje a konsensus jashtë organeve të saj kur Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka Këshillin e Përgjithshëm legjitim të zgjedhur nga vota e lirë dhe demokratike e anëtarësisë së saj.

Për këdo nga ne kapërcimi i organeve tona legjitime është sulm ndaj demokracisë së brendshme.

© zëri.info