Viktimat e dhunës seksuale, 18 vjet pa drejtësi

Aktuale December 13, 2017 - 17:11

Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut “Amnesty International” ka kritikuar drejtësinë kosovare për mostrajtimin qe 18 vjet të rasteve të viktimave të përdhunimit seksual të kohës së luftës.
Gjatë prezantimit të raportit “Plagë që të djegin shpirtin – Kompensim për të mbijetuarit e përdhunimit gjatë luftës, por drejtësi s’ka akoma”, autorja Sian Jones tha se organizata është e shqetësuar nga mungesa e drejtësisë për viktimat për kohë kaq të gjatë. “Nuk ka raste në Kosovë, nuk ka raste të dënimit në Serbi. Tash është një rast në Serbi në proces gjyqësor”, tha ajo.

Sian Jones kritikoi UNMIK-un për dështimin në hetimin e rasteve të dhunimeve dhe për këtë dështim ajo bëri përgjegjëse edhe EULEX-in dhe Qeverinë e Kosovës. Jones shtoi se duhet të rregullohet sistemi i mbrojtjes së dëshmitarëve, i cili sot, sipas saj, nuk funksionon.

Ajo tha se duhet të krijohet mbrojtje edhe për familjet e dëshmitarëve. Ndërsa, Gauri Van Gulik, nga po kjo organizatë e vlerësoi si ndryshim pozitiv dëmshpërblimin të cilin Qeveria ka vendosur ta japë për personat e dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Pas dy dekadash pritje, të refuzimit, të mospranimt, duke mos qenë asgjëkund në gjykata, duke iu thënë vazhdimisht se nuk janë të rëndësishme dhe nuk e meritojnë drejtësinë, kujdesin apo njohjen; të mbijetuarit, më në fund do ta shohin një formë të kompensimit, njohjes që nga janari i vitit të ardhshëm”, tha Gulik.

Ajo e vlerësoi si shumë të rëndësishme që të njihet dëmi që u është bërë viktimave të dhunës seksuale.

KALLXO.com rikujton se personat të cilët raportojnë që kanë qenë viktimë e dhunimit gjatë luftës mund të marrin një pagesë mujore prej 230 euro si kompensim.

Përderisa në fillim është propozuar një skemë në formë të pensionit, Gulik tregoi se ka marrë garanci nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale se kjo skemë do të jetë në formë kompensimi pasi që skema e pensionit do t’ua pamundësonte viktimave ta merrnin një pension tjetër.