Ekspertiza e përfaqësuesit të BIK-ut në Gjykatë: Mbron imamët, sulmon homoseksualët

Aktuale December 13, 2017 - 16:14

Kryeimami i BIK-ut, Sabri Bajgora, ua ka bërë sot ekspertizën ligjëratave të imamit Enes Goga,me të cilat Prokuroria konsideron se është nxitur urrejtje. Bajgora duke komentuar përmendjen e "kryqit dhe bajrakut" nga Goga ka thënë se në islam lejohen interpretime nga njohësit e Kuranit. Ai madje i ka marrë në mbrojtje imamët duke thënë se ata po akuzohen për shkak të propagandës mediale. Por para se ta mbyllë dëshminë e tij në gjykatë, Sabri Bajgora e quajti dukuri të shëmtuar homoseksualizmin.
Ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kryeimami i BIK-ut Sabri Bajgora. Gjatë rrëfimit të tij në gjykimin e imamëve të akuzuar për terrorizëm dhe të politikanit që pretendohet se bëri thirrje për rezistencë, në pyetjet e mbrojtjes, prokurorit dhe të akuzuarve, Bajgora ka pranuar se Bashkësia Islame e Kosovës asnjëherë nuk ka marrë masë disiplinore ndaj hoxhës nga Peja Enes Goga, i akuzuar për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ai ka pranuar të mërkurën në gjykatë se si pjesë e një komisioni të BIK-ut, në korrik të vitit 2016 i kanë kthyer përgjigje një kërkese të Prokurorisë Speciale të Kosovës, për të komentuar një ligjëratë që BIK-u e kishte marrë me CD bashkë me pyetjet që i ishin parashtruar këtij institucioni. Në të është thënë se imami i akuzuar për terrorizëm ka shprehur mendime të tij personale në një pjesë të ligjërimit që ishte shpërndarë në "Youtube", shkruan Gazeta Express. 

“Ne pasuesin e parë kemi thënë se Muhamedi a.s. nuk ka përmendur kryqe apo gjakderdhje apo diçka, sepse është një hadith që është komentuar për shumë shekuj edhe në botën islame. Ndërkohë që në pasuesin vijues si komision kemi konstatuar se komentimet e Enes Gogës rreth kryqit apo bajrakut, që e përmend janë komente të tij personale”, është përngjitur Bajgora në pyetjen e mbrojtësit të Gogës, i cili në seancën e kaluar kishte kërkuar që kryeimami i BIK-ut të vijë për të dëshmuar. 

“Normalisht edhe në shkencën e komentimit të kuranit dhe haditheve lejohen komente nga studiues të këtyre sferave”, ka shtuar ai. 

Ai ka konfirmuar se edhe pasi është parë CD-ja, Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka marrë asnjë masë ndaj imamit Goga, duke arsyetuar se nuk ka pasur asnjë vërejtje ndaj të akuzuarit për terrorizëm. 

“Ne si kryesi e BIK-ut, nuk kemi marrë nga këshilli i Pejës asnjë vërejtje, dhe nuk kemi pasur arsye të intervenojmë sepse kjo do të përbënte ndërhyrje të dhunshme në punën e këshillit. Ne si kryesi duke ndjerë se kemi një obligim edhe moral edhe patriotik t'u përgjigjemi instancave tona kombëtare jemi mjaftuar vetëm me përgjigjen që i dërguar prokurorisë speciale”, ka thënë në gjykatë Sabri Bajgora, gjatë dëshmisë së tij në gjyqin për terrorizëm ndaj imamëve Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga, Mazllam Mazllami dhe politikanit Fuad Ramiqi që akuzohet për “thirrje për rezistencë”.

“A e keni ftuar Enes Gogën me u sqaru?”, e ka pyetur dëshmitarin avokati Durim Jashari. “Jo”, është përgjigjur Bajgora. 

Derisa, Enes Goga kishte radhën për pyetje në gjykatë ndaj dëshmitarit Sabri Bajgora, ky i fundit ka konfirmuar se shprehja “qafir” nuk është term fyes për askënd, dhe gjendet e shkruar edhe në Kuran.


“Meqenëse në Kuran ekziston nja kaptinë e quajtur “mosbesimtarët”, rrjedhimisht si të tillë e llogarisim se nuk përbën gjuhë të urrejtjes ndaj askujt”, ka dhënë vlerësimin e tij kryeimami Bajgora, para trupit gjykues të Gjykatës themelore të Prishtinës.

Bajgora në fund të dëshmisë së tij, ka aluduar se një pjesë të imamëve, përfshirë edhe disa prej të akuzuarve që ndodheshin në sallë, po u kufizohet liria e shprehjes, duke marrë shkas nga aktakuzat që janë ngritur ndaj tyre për shkak të gjuhës nxitëse që kanë përdorur. 

Ka shkuar aq larg sa ka akuzuar Prokurorinë e Shtetit se ka ngritur aktakuza vetëm për të bërë propagandë mediatike. 

“Po gjykohen për një rast i cili ndoshta mund të hyjë në sferën e lirisë së shprehjes, andaj kërkoj nga trupi gjykues që të ketë në konsideratë edhe instruksionet e BIK-ut, sepse ekziston një bindje që në lidhje me disa aktakuza është bërë më tepër një propagandë mediatike”, ka thënë Bajgora. 

“Nëse vërtetohet e kundërta [e aktakuzave], ne shpresojmë të paktën një kërkimfalje publike edhe për BIK-un dhe familjet e tyre”, ka bërë thirrje kryemimami i Kosovës.

Gjatë kohës sa ndodhej përballë gjyqtarëve, Sabri Bajgora i ka quajtur dukuri të shëmtuar pjesëtarët e komunitetit LGBTI, pasi avokati i Mazllam Mazllamit ka kërkuar mendimin e tij për këtë grup. 

“Çka nënkupton fjala shkatërrim. A përmendet në Kuran”, e ka pyetur avokati Bajram Tmava dëshmitarin nga BIK-u, duke iu referuar deklarimit të imamit të akuzuar Mazllam Mazllami se “duhet shkatërruar komunitetin LGBTI”. 

“Fjala shkatërrim në Kuran është e përmendur, dhe nënkupton ndoshta mallkim për një veprim të shëmtuar siç është homoseksualizmi”, ka deklaruar Bajgora. 

Përveç dëshmisë së Sabri Bajgores, në seancën gjyqësore të së mërkurës, është shfaqur edhe video-incizimi i një ligjërate të imamit tjetër të akuzuar, Idriz Bilibani, që prokuroria e ka administruar si provë në gjykatë. 

Mirëpo, kjo pjesë është kufizuar për t'u ndjekur nga mediet që ishin në sallë, pas kërkesës së mbrojtësve të të akuzuarve e që u mbështet edhe nga prokurori special. 

Për incizimin në fjalë të ligjëratës së imamit me prejardhje boshnjake, e gjetur në pajisjet elektronike të Zekirija Qazimit, tashmë të dënuar për rekrutim të kosovarëve në ISIS, Prokurori Haki Gecaj pretendon se kanë identifikuar të paktën shtatë persona, të cilët kanë dëgjuar ligjërimin e hoxhë Bilibanit e që të njëjtit persona tashmë ndodhen në zonën e luftimeve në Siri e Irak, ose janë gjykuar në Kosovë për terrorizëm.

Ndryshe, Idriz Bilibani, bashkë me imamin Bedri Robaj, sipas aktakuzës së përbashkët, e ngritur në shtator të vitit të shkuar, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shtytje për kryerjen e veprimeve terroriste”. Derisa, dy imamët tjerë, Enes Goga e Mazllam Mazllami, në të njëjtën aktakuzën akuzohen për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”. I fundit, politikani Fuad Ramiqi akuzohet për “Thirrje për rezistencë”, raporton Gazeta Express. 

Veprimet e të akuzuarve nuk ndërlidhen me njëri-tjetrin, ndonëse përfshihen të pestit në një aktakuzë. Ky fakt është potencuar vazhdimisht nga mbrojtësit e të akuzuarve.