Ish-inspektorati i Prishtinës: Nuk u ekzekutua asnjë vendim i imi për rrënimin e objekteve pa leje

Aktuale December 13, 2017 - 15:25

Ish-inspektori i Komunës së Prishtinës, Ardian Muhadri, ka deklaruar se vendimet për rrënimin e objekteve pa leje në kryeqytet, që ai i ka marr, nuk janë zbatuar asnjëherë.

Këtë deklarim, Muhadri e ka dhënë të mërkurën, në vazhdimin e gjykimit ndaj tij dhe ish-shefit të inspektorëve të kësaj komune, Ismet Haliti si dhe tetë ish-inspektorëve të tjerë, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“Asnjë vendim që unë e kam nxjerrë nuk është ekzekutu. Askush nuk më ka ftu me marrë pjesë në ndonjë organizim për rrënim”, ka deklaruar Muhadri.

Ish-inspektori ka shtuar se për ekzekutim të vendimeve përgjegjës kryesor ka qenë shefi i sektorit, Ismet Haliti.

Muhadri ka thënë se kur mungonte Haliti, atë e zëvendësonte ekzekutuesi, e që për të gjitha punët, sipas tij, inspektorët detyrimisht i raportonin ekzekutuesit ose shefit të sektorit.

“Organizimin e aksionit për rrënim, vendimet për rrënim dhe shkresat e tjera për pezullim i ka ekzekutuar vetëm shefi i sektorit me përmbaruesin”, ka deklaruar tutje Muhadri.

Në shqyrtimin e së mërkurës, është marr në pyetje edhe i akuzuari Blerim Ibishi, i cili kishte dhënë deklaratën e tij edhe në seancën e mbajtur më 5 dhjetor të këtij viti.

Ai ka përsëritur deklarimet e tij se shefi i sektorit, Ismet Haliti, ka qenë përgjegjës për ekzekutim të vendimeve për rrënimin e ndërtimeve pa leje.

“Kur ka dashtë shefi i sektorit me organizu aksion të rrënimit e ka bërë e kur s’ka dashtë, jo”, ka deklaruar Ibishi.

Ai ka përmendur rastin e investitorit “Elkos”, në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë, ku investitori kishte bërë tejkalim të sipërfaqes ndërtuese prej 120 deri 140 metër katror më tepër se që kishte leje, duke shtuar se menjëherë më 31 dhjetor 2013, ishte marrë vendimi për rrënimin e asaj pjese.

Ibishi ka deklaruar se më 17 janar 2014, ishte ekzekutuar ky vendim dhe ishte rrënuar ajo pjesë ku vetë investitorët me dëshirë e kishin kryer rrënimin e asaj pjese.

Pasi që përfundoi orari i gjykatës në pjesën e paradites dhe gjykatësi Beqir Kalludra pasdite kishte seanca të tjera, ka njoftuar palët se seanca do të shtyhet për 18 janar 2018, duke filluar nga ora 9:00.

Në seancën e radhës do të vazhdoi deklarimin e tij i akuzuari Muhadri dhe të akuzuarit e tjerë.

Paraprakisht gjykatësi Kalludra, ka kërkuar nga avokatët të dijë nëse do të vazhdojnë shqyrtimin pasi që prokurorja e rastit Drita Hajdari, nuk ishte në seancë dhe atë e zëvendësonte prokurorja Florje Shamolli, e cila nuk ishte e mundur të njihte lëndën. Por, avokatët kanë deklaruar se nuk dëshirojnë që ky shqyrtim të shtyhet.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) pretendon se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Të njëjtit akuzohen se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina ”Tregtia”, Shefik Rexhepi  “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të njëjtit supozohet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq, i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohet për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal./Betimi për Drejtësi