Mashtrimet e dekadës

Aktuale December 13, 2017 - 08:19

Liberalizimi i vizave dhe integrimi në BE-në, krijimi i ushtrisë së Kosovës, finalizimi i dialogut me Serbinë janë premtimet kryesore për të cilat politikanët kosovarë qe një dekadë janë zotuar se do t’i zgjidhin. Por deri në realizimin e këtyre premtimeve, për të cilat u mashtruan qytetarët, vendin e pret një rrugë e gjatë dhe e vështirë

Po bëhet gati një dekadë qyshkur patën nisur zotimet për heqjen e vizave (2010), mirëpo e njëjta çështje ka mbetur e pazgjidhur edhe sot, ndonëse kanë kaluar gati 8 vjet. Politikanët kosovarë përgjatë dekadës së fundit pos liberalizimit premtuan edhe integrimin e Kosovës në BE, krijimin e ushtrisë, si dhe finalizimin e procesit të dialogut mes Kosovës e Serbisë. Pavarësisht kësaj, asnjëra prej këtyre çështjeve nuk pritet të ketë zgjidhje të shpejtë. Kështu konsiderojnë ekspertët e këtyre fushave, të cilët thonë se institucionet duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim. Njohësit e procesit të integrimit dhe liberalizimit mbeten skeptikë nëse këto dy procese do të përmbyllen, ani pse një gjë e tillë po vazhdon të premtohet edhe sot nga ana e Qeverisë. Madje, sa i përket liberalizimit ende nuk është zgjidhur kushti kryesor (Demarkacioni), ndonëse janë bërë gati tre vjet prejse është nënshkruar. Nga ana tjetër, ekspertët e çështjeve ushtarake vlerësojnë se ushtria nuk do të bëhet as për pesë vjet të tjera. Megjithëkëtë, zyrtarë të Qeverisë thonë se janë duke punuar drejt përmbylljes së këtyre çështjeve. Kurse sa i përket dialogut me Serbinë (i nisur më 2011-n) njohësit e këtij procesi thonë se ai nuk ka përmbushur aspak pritjet e qytetarëve.

Rrugëtimi, i vështirë drejt liberalizimit

Liberalizimi i vizave nuk është proces që mund të finalizohet lehtë. Përkundrazi, problemin kyç në këtë proces e paraqesin pesë shtetet e BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kështu thotë profesori i së drejtës evropiane, Avni Mazreku, i cili në një bisedë për “Zërin” shpjegon në tërësi se si shkojnë procedurat për të ardhur deri te heqja e vizave. “Kur flasim për liberalizimin e vizave është vështirë të përcaktohet se kur një vendim mund të merret për liberalizmin e vizave të Kosovës kur dihet se ky vendim merret në Këshillin e Bashkimit Evropian, përkatësisht në konfiguracionin e ministrave  të Punëve të Brendshme. Ky vendim merret sipas sistemit të shumicës së kualifikuar”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Mirëpo, sipas tij, ekziston mundësia që katër shtete të BE-së ta përdorin një mekanizëm që ta bllokojnë këtë proces. “Minoranca bllokuese duhet të ketë katër shtete minimum e që këto katër shtete duhet t’i përfaqësojnë 35 për qind të popullsisë së BE-së”, ka theksuar ai. Andaj, sipas Mazrekut, ekziston rreziku që për Kosovën të përdoret pakica bllokuese, ani pse këto pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën nuk i përfaqësojnë 35 për qind të popullsisë së BE-së, por ka shtete që mund t’i bashkohen këtij grupi dhe ta arrijnë 35-përqindëshin.

Kosova, larg integrimit në BE

Ndërkaq Albana Merja, njohëse e çështjeve integruese, ka thënë se liberalizimi është më lehtë për t’u arritur krahasuar me integrimin. “Këtë fakt e vërteton edhe përvoja e vendeve të tjera të Ballkanit që e kanë përmbyllur procesin e liberalizimit të vizave në një kohë afërsisht 2-vjeçare. Fakti që Kosova akoma nuk përfiton nga liberalizimi i vizave është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve ose mosveprimeve të politikanëve në vend”, ka deklaruar ajo. Ndërkaq sa i përket procesit të integrimit, sipas Merjës, Kosova momentalisht është shumë larg arritjes së këtij objektivi. “Së pari, ky nuk është një proces i njëanshëm, por i gjithi duhet të bashkërendohet me BE-në dhe së dyti brenda vendit nuk shihet ndonjë gatishmëri e lartë në ndërmarrjen e reformave të thella që çojnë drejt anëtarësimit”, ka theksuar ajo.

Qeveria: Kemi vendosur dinamikë të re të punës në përmbylljen e proceseve shtetbërëse

Pavarësisht këtyre zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arbër Vllahiu, ka thënë se të gjitha çështjet e mëdha të cilat ende ngelen pa zgjidhje kanë marrë trajtimin e duhur prej Qeverisë. “Të gjitha çështjet për të cilat flisni janë trajtuar nga qeveria ‘Haradinaj’ prej marrjes së detyrës, me urgjencë. Në veçanti çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe transformimi i FSK-së janë trajtuar me kujdes të posaçëm”, ka thënë ai.

Duke mos treguar saktësisht nëse këto çështje do të finalizohen gjatë mandatit të kësaj Qeverie Vllahiu ka thënë se kjo Qeveri ka përdorur një dinamikë të re drejt përmbylljes së proceseve shtetbërëse të Kosovës dhe avancimit të rrugës së saj euroatlantike.

Ndërkaq deputeti opozitar i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, ka thënë se nuk është e pamundur për t’i zgjidhur tërë këto çështje të mëdha të vendit ndonëse epilogu i tyre nuk duket të jetë afër.

Edhe pesë vjet pa ushtri

Nga ana tjetër pavarësisht se klasa politike po zotohet për krijimin e ushtrisë, transformimi i FSK-së në ushtri nuk do të ndodhë edhe së paku pesë vjet. Kështu ka vlerësuar eksperti i çështjeve ushtarake, Naim Maloku, i cili ka thënë se përgjegjëse për mosrealizimin e këtij premtimi janë të gjitha partitë politike. “Sa i përket ushtrisë së Kosovës, së paku edhe një 5-vjeçar duhet. Përgjegjësia e partive ka qenë në vitin 2013, tash nuk ka ndryshime në atë drejtim, cilado qeveri që vjen”, ka nënvizuar ai.

Gjatë bisedës Maloku ka thënë se në vitin 2013 është humbur rasti ideal për t’i bindur serbët që të votonin pro ndryshimeve kushtetuese.

Ndërkaq politologu Belul Beqaj, ka thënë se politikanët të cilët kanë qenë në pushtet viteve të fundit synimin kryesor e kanë pasur se si të vijnë dhe të rrinë në pushtet e jo zgjidhjen e temave të mëdha të vendit.

“Prandaj nga këta politikëbërës mund të presim vetëm ashpërsimin e luftës mes tyre për të përfituar sa më shumë nga pushteti”, është shprehur ai. E përgjegjësia më e madhe për moszgjidhjen e këtyre çështjeve, sipas tij, u mbetet pikërisht politikanëve të pasluftës. Por pos kësaj, Beqaj thotë se përgjegjësinë e mban edhe bashkësia ndërkombëtare.

Dialogu nuk solli zbatimin e marrëveshjeve

Duke folur rreth procesit të dialogut përgjatë viteve Jeta Krasniqi, hulumtuese në KDI (njohëse e këtij procesi), ka thënë se dialogu i nisur në vitin 2011 nuk ka përmbushur pritjet e qytetarëve në Kosovë dhe në Serbi, pavarësisht disa rezultateve dhe përpjekjeve për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve fqinje. “Nuk duhet harruar se aty janë arritur një sërë marrëveshjesh në fushën e qarkullimit të lirë, arsimit, drejtësisë, kadastrës dhe të të tjerave, por duhet theksuar se në shumë raste marrëveshjet nuk janë zbatuar edhe atë kryesisht nga mungesa e vullnetit të Beogradit zyrtar”, është shprehur ajo. Krasniqi më tej ka thënë se faza përmbyllëse e dialogut do të duhej të realizohej me përfshirjen e SHBA-së. Sipas saj, Kosova duhet të ketë gjithëpërfshirje të spektrit politik e shoqëror në këtë fazë.

“Të gjitha çështjet për të cilat flisni janë trajtuar nga qeveria ‘Haradinaj’ prej marrjes së detyrës, me urgjencë. Në veçanti çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe transformimi i FSK-së janë trajtuar me kujdes të posaçëm”, ka thënë Arbër Vllahiu.