Zaev: Hetim ndërkombëtar për “Rastin e Kumanovës”

Aktuale December 13, 2017 - 08:06

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka deklaruar dje në Prishtinë se qytetarët duhet ta dinë “të vërtetën e plotë” lidhur me incidentin e armatosur në Kumanovë, i cili kishte ndodhur në maj të vitit 2015. Deklaratën e tillë kryeministri Zaev e ka bërë pas takimit me homologun e tij kosovar, Ramush Haradinaj.

“Kemi qëndrim të përbashkët se duhet të ketë një hetim ndërkombëtar ose të dërgohen përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët do t’i ballafaqojnë të gjitha elementet dhe do të japin përgjigje në pyetjet, që i meritojnë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Maqedonisë. Ne absolutisht e shohim këtë çështje si diçka që nuk guxon të jetë pengesë për përparimin e bashkëpunimit. Jemi të bindur që në interes të opinionit dhe për atë që paraqet nevojë të qytetarëve tanë do të punojmë, në mënyrë që qytetarët ta dinë të vërtetën e plotë për këtë rast, për të cilin dihet se ka përfunduar tragjikisht në Maqedoni, ku janë vrarë policë”, ka thënë Zaev.
Në incidentin e armatosur në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, u vranë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur, në të cilin ishin të përfshirë edhe shqiptarë nga Kosova.
Zaev ka shtuar se të dyja vendet, Maqedonia dhe Kosova, do ta mbështesin njëra-tjetrën në rrugën e integrimeve euroatlantike.
Lidhur me mbështetjen e Maqedonisë për anëtarësimin e Kosovës në Agjencinë për Kulturë, Shkencë dhe Arsim të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), kryeministri Zaev ka theksuar se tash për tash kjo çështje është shtyrë. Por, ai pret që kjo çështje të zgjidhet paralelisht me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përmirësimin e të cilave po mbahet dialogu në Bruksel, proces të cilin, siç ka thënë ai, e mbështet edhe Maqedonia. “Kosovës i nevojitet mbështetja e Maqedonisë në të gjithat këto procese. Por, njëkohësisht, ju e dini që edhe Republika e Serbisë është fqinje jona. Kështu që, në kuadër të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet shpresojmë që zgjidhja e çështjeve do të bëhet në mënyrë bilaterale. Ne do të jemi këtu vetëm ta ndihmojmë procesin ndërmjet dy vendeve”, tha Zaev.
Shefi i qeverisë maqedonase ka shtuar se në takimin me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë biseduar për projektet e përbashkëta, për avancimin e komunikimit ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Maqedonisë. Siç ka theksuar Zaev, dy vendet kanë të nënshkruara 19 marrëveshje bilaterale dhe 16 dokumente të tjera, si dhe pritet t’i nënshkruajnë edhe 21 marrëveshje të tjera me interes për qytetarët e të dyja vendeve.
Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar të rëndësishme vizitën e kryeministrit të Maqedonisë, duke theksuar se Kosovën dhe Maqedoninë i lidh orientimi euroatlantik i të dyja vendeve. “Në këtë vizitë të sotme kemi mundur të ndihmojmë që marrëdhëniet tona, pra ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, të përparojnë. Ato janë të mira, por të përparojnë. Sot kemi marrë plot obligime, që besoj se do ta kemi rastin t’i finalizojmë në të ardhmen edhe në takime të përbashkëta të dy qeverive, pra të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Maqedonisë në interes të qytetarëve të dy vendeve tona”, ka thënë Haradinaj.


Zaev: Do ta ndërtoj autostradën që lidhet me Kosovën

Gjatë ditës së martë Zaev është takuar edhe me kryeparlamentarin e Kosovës Kadri Veselin, me të cilin diskutuan për raportet që Prishtina dhe Shkupi zyrtar kanë ndërtuar midis tyre në të gjitha nivelet e bashkëpunimit institucional dhe njëherësh vlerësuan se ky bashkëpunim ndërmjet dy vendeve i shërben paqes, sigurisë dhe demokratizimit të rajonit.
Veseli e Zaev theksuan se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të mira, ndërsa shprehën përkushtimin që bashkëpunimi ndërshtetëror të thellohet edhe më tej në të ardhmen në frymën e orientimit të përbashkët euroatlantik, si rrugë e vetme e së ardhmes të rajonit.
Ata në takimin e tyre konsideruan se Kosovën dhe Maqedoninë, si dy vende fqinje, të pavarura dhe sovrane, i bashkon shumëçka, prandaj theksuan nevojën e adresimit të sfidave të përbashkëta. Kryeparlamentari Veseli tha se Kosova ndjek politikën e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit reciprok si rrugë e vetme e realizimit të synimeve të përbashkëta eurointegruese dhe sigurimit të qarkullimit të lirë të njerëzve, mallrave dhe investimeve të përbashkëta në rajon.
Ai ka rikujtuar se Kosova është në përfundim e sipër të autostradës “Arbën Xhaferi”, e cila lidh Prishtinën dhe Shkupin, që do ta lehtësojë komunikimin e qytetarëve dhe shkëmbimet tregtare. Edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, u zotua se shumë shpejt qeveria e tij do ta nisë pjesën e autostradës nga Shkupi deri në pikën kufitare me Kosovën.ë
 

Box:                 

Thaçi: S’kemi asnjë proces të hapur me Maqedoninë

Zoran Zaev dje është takuar edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, i cili, duke i dëshiruar mirëseardhje kryeministrit të Maqedonisë, ka thënë se Kosova dhe Maqedonia nuk e kanë asnjë proces të hapur dhe tani është koha që të hapen marrëveshjet mes dy vendeve tona. “Të dyja vendet tona kanë besim se do t’ia lehtësojnë njëra-tjetrës rrugëtimin. Është fakt që mes neve nuk ka çështje të hapura, dhe vetë vizita e Zaevit do ta hapë një mundësi të re për të dyja vendet. Fqinjësia e mirë është përcaktuese për të ardhmen tonë euroatlantike. Kosova mbështet implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo vizitë do të hapë mundësi të reja në të gjitha sferat”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa Zaev në këtë takim ka thënë se ata u përkushtuan në detaje për të forcuar bashkëpunimin e vendeve tona, gjithashtu ai bëri të ditur se pati takime tjera që japin një impuls pozitiv dhe që ndikojnë në marrëdhënie më të mira me qytetarët.