27 vjet nga themelimi i Partisë Demokratike, Mustafa uron Berishën dhe Bashën

Aktuale December 12, 2017 - 18:03

Isa Mustafa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka uruar të gjithë veprimtarët e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe simpatizuesit e kësaj partie në 27 vjetorin e themelimit.

Më poshtë e gjeni urimin e plotë:

27 vjet më parë, studentët dhe elita intelektuale vizionare e Shqipërisë, themeluan Partinë Demokratike, duke shënuar njëkohësisht fillimin e fundit të diktaturës, nisjen e pluralizmit dhe epokës së lirisë e të demokracisë në shtetin shqiptar.

Për 27 vjet të plota, PD-ja, bashkë me partitë tjera, nuk u shkëput për asnjë moment nga misioni i saj për mbrojtjen e interesave shtetërore e kombëtare, nga promovimi dhe jetësimi i pakompromis i vlerave perëndimore, si dhe nga kontributi thelbësor në avancimin e rrugës integruese euroatlantike të Shqipërisë.

Jo rastësisht, me PD-në lidhen të arriturat historike të Republikës së Shqipërisë pas rrëzimit të diktaturës e që janë anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, ndërtimi i Rrugës së Kombit e shumë projekte të tjera në interes të jashtëzakonshëm nacional.

Kontributi i PD-së është i pazëvendësueshëm edhe sot e kësaj dite, kur me dinamizmin dhe qasjen konsistente e proaktive, ajo ka rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e gjithëmbarshëm të shtetit shqiptar.

LDK-ja dhe çdo anëtar i saj, është e nderuar dhe mburret që e ka PD-në partner të afët bilateral por edhe parti simotër në kuadër të Familjes së Partive Popullore Evropiane (EPP).

Në këtë datë historike, nuk kemi si të mos e përkujtojmë burrin e madh të kombit, tribunin e lirisë dhe të demokracisë, Azem Hajdarin e pavdekshëm.

Urimet më të përzemërta për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha!

Urime liderit historik, Dr. Sali Berisha!

Urime të gjithë veprimtarëve të PD-së dhe qytetarëve të Shqipërisë!