Aida Dërguti jep dorëheqje, Ahmeti mohon ndarjen

Aktuale December 12, 2017 - 09:21

Deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Aida Dërguti, ka dhënë dorëheqje dje nga Kryesia e Partisë, si dhe nga pozita e kryetares së Degës në Vushtrri. Një vendim të tillë nënkryetarja e Parlamentit e ka marrë pak ditë pas publikimit në medie të një bisede në  aplikacionin “Viber”, ku Dërguti e ofendon rëndë ish-liderin e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurtin.
Pas këtyre zhvillimeve dje është takuar edhe Kryesia e lëvizjes “Vetëvendosje”, ku është diskutuar për zhvillimet brendapartiake për të cilat analistët politikë kanë alarmuar që subjekti politik, të cilin e ka themeluar Kurti, po shkon drejt çarjes. Kjo për faktin se pavarësisht ofendimit të rëndë ndaj Kurtit, Aida Dërgutin jozyrtarisht thuhet se e mbështet ish-sekretari i partisë Dardan Molliqaj, deputetët Shqipe Pantina, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Dardan Sejdiu, si dhe kreu i Prishtinës Shpend Ahmeti. Mirëpo, pavarësisht këtyre përplasjeve, ky i fundit dje ka mohuar se lëvizja “Vetëvendosje” do të ndahet, njëjtë siç janë ndarë vite më parë LDK-ja dhe PDK-ja.


Dërguti flet për shpifje, linçime 

Dorëheqjen e saj e ka bërë të ditur vetë Dërguti përmes një letre publike të publikuar në llogarinë e saj në rrjetin social “Facebook”.  “Për 12 vjet rresht, këtë Lëvizje e kemi ndërtuar bashkë. Kam bindjen e plotë se bashkë duhet t’i tejkalojmë edhe problemet e fundit. Kjo është e mundur dhe bëhet me vullnetin e kontributin e të gjithëve. Sigurisht se përgjatë punës e aktiviteteve të përbashkëta ne kemi krijuar shoqëri të vërtetë e marrëdhënie të shëndoshë me njëri-tjetrin. Kjo e ka përmbushur secilin prej nesh edhe personalisht. Por, mbi të gjitha Lëvizja ekziston për shkak të qëllimeve që ia kemi vënë vetes.

 

Përballë këtyre qëllimeve secili prej nesh duhet ta tejkalojë veten. Prandaj, unë sot kam dhënë dorëheqje nga detyra e kryetares së Qendrës së lëvizjes ‘Vetëvendosje’ në Vushtrri dhe nga anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes”, ka shkruar Dërguti në llogarinë e saj në rrjetin social “Facebook”. 

Dërguti pas dorëheqjes ka folur edhe rreth fyerjes që ia kishte bërë deputetit tjetër të kësaj partie, Albin Kurtit. “Unë e di që shprehja ime ka nxitur reagime e shqetësime për natyrën e problemeve në Lëvizje.

 

Por, shprehja ime (e papranueshme gjithsesi) duhet vënë përballë një fushate sistematike të shpifjeve, linçimeve e etiketimeve që ka ndodhur tash 1 vit”, ka shkruar ajo.

 

Ajo ka folur edhe për fushatën linçuese ndaj saj dhe për instrumentalizimin e njerëzve. “Po, brenda nesh ka dallime. Ky problem që në dukje të parë duket si inat personal, në fakt është dallim politik dhe ideologjik. Jo dallim karshi qëllimeve të shprehura në program, por sidomos dallim karshi metodës. E dallimi në metodë është dallim politik pastaj.

 

Nuk mund të arrish përmes rrugëve e metodave të ndryshme te qëllimi i njëjtë. Metoda e fisnikëron ose e korrupton qëllimin. Ta zëmë, probleme të patejkalueshme për mua janë sulmet e organizuara linçuese dhe instrumentalizimi i njerëzve. Asnjë qëllim madhor nuk e arsyeton instrumentalizimin”, ka shkruar ndër tjera ajo.