Demarkacioni nuk procedohet pa u siguruar votat

Aktuale December 12, 2017 - 08:52


Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi nuk do të procedohet në seancë të Kuvendit pa u siguruar votat e nevojshme të deputetëve. Partia më e madhe në koalicionin qeverisës (PDK) konfirmon se nëse nuk ka konsensus, atëherë do të ketë shtyrje të seancës për Demarkacionin 

Ndonëse Qeveria e Kosovës e ka përcjellë në Kuvend Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi ende nuk dihet se kur saktësisht do të procedohet kjo marrëveshje. 

Anëtarë të Kryesisë së Kuvendit kanë thënë se nuk ka ndonjë datë të saktë se kur do të dalë në votim Marrëveshja e Demarkacionit. Madje, ata kanë bërë të ditur se “seanca e Demarkacionit” mund të shtyhet po qe se nuk gjendet një konsensus politik mes partive për versionin aktual të saj. Përderisa LDK-ja dhe PDK-ja janë deklaruar disa herë se do ta votojnë versionin aktual të Demarkacionit, AAK-ja, Nisma e LVV-ja kanë pohuar të kundërtën se nuk do ta votojnë versionin aktual. 

Megjithatë, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se vonesa që po i bëhet kësaj marrëveshjeje për të shkuar në Kuvend ka të bëjë pikërisht me mobilizimin e deputetëve, gjegjësisht me sigurimin e votave për ta kaluar marrëveshjen në fjalë.

Madje ata nuk kanë përjashtuar mundësinë që edhe AAK-ja t’i bashkohet grupit që është pro kalimit të këtij versioni. 
 
Mirëpo, përfaqësuesit e këtij subjekti kanë mohuar kategorikisht një gjë të tillë, duke thënë se AAK-ja nuk ndërron qëndrim karshi kësaj marrëveshjeje. 
 
Haliti: Nëse s’ka konsensus mbajtja e seancës mund të shtyhet
 
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë për “Zërin” se ende nuk dihet se kur do të procedohet në Kuvend Marrëveshja e Demarkacionit. “Jo, nuk ka datë. Ka një afat kohor prej kohës kur vjen në procedurë, por Kryesia mund ta mbajë deri ta shqyrtojë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
 
Haliti më tej ka thënë se do të shikohet se a ka apo jo konsensus mes partive politike që versioni i tanishëm të shkojë në Kuvend. “Ne e kemi marrë atë, tash po shohim a ta dërgojmë në komisione njëherë për t’u shqyrtuar apo ta nxjerrim në seancë. Kjo varet edhe nga raportet që ndërtohen mes grupeve parlamentare. Nëse Demarkacioni shkon në Parlament duhet të shkojë dhe të vendoset në interes të vendit, jo në interes të partive politike”, ka shtuar Haliti. Në të kundërtën, sipas tij, po qe se nuk ka konsensus atëherë mund të shtyhet edhe seanca ku pritet të shkojë Demarkacioni. “Andaj, nëse nuk ka një konsensus të variantit, atëherë ka mundësi të shtyhet edhe mbajtja e seancës për Demarkacionin”, ka theksuar Haliti. 
 
Gaxherri: Demarkacioni nuk vjen këtë muaj në Kuvend
 
Ndërkaq deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, duke folur rreth Demarkacionit, ka vlerësuar se kjo marrëveshje nuk do të vijë këtë muaj në Kuvend. “Unë konsideroj që këtë muaj nuk do të jetë në Kuvend sepse ka pasur një javë shumë të ngjeshur, duhet të kalojë në procedura. Mendoj që pas Vitit të Ri, vitin e ardhshëm, muajin e parë ndoshta do të jetë”, ka thënë Gaxherri për “Zërin”. Ajo tutje ka thënë se çështja e demarkacionit është zvarritur, ndërkohë ka vlerësuar se kryeministri nuk e ka marrë asnjë vendim të madh prejse ka ardhur në krye të ekzekutivit.
Deputetja e LDK-së ka folur edhe për zotimin e kryeministrit, se liberalizimi do të jetë çështje javësh. “Edhe ne urojmë të jetë çështje javësh apo ditësh, ai ka thënë që për tre muaj do t’i bëjë. Ne sa po mund ta përcjellim, jemi shumë larg kësaj çështjeje”, ka nënvizuar ajo. 
 
Basha: Zvarritja e Demarkacionit, për t’i mobilizuar deputetët
 
Nga ana tjetër analisti politik, Dimal Basha, ka vlerësuar se arsyeja e zvarritjes së Demarkacionit ka të bëjë me mobilizimin e deputetëve të koalicionit qeverisës për të votuar pro marrëveshjes. “Arsyeja kryesore për vonesën është mobilizimi i deputetëve. Kjo sillet rreth dyshimit të deputetëve të AAK-së, por edhe të disa deputetëve tjerë të PDK-së dhe e të LDK-së që kanë kundërshtuar edhe në legjislaturën e kaluar. Po presin t’i mobilizojnë të gjithë deputetët për të votuar pro, duke përfshirë këtu ata të AAK-së”, ka deklaruar ai.
Basha madje ka thënë se edhe kryeministri mund ta ndërrojë mendjen dhe ta votojë Marrëveshjen e Demarkacionit. “Më shkurt, unë besoj se Haradinaj përfundimisht do të ndërrojë mendje dhe do të ushtrojë presion te deputetët e AAK-së që ta votojnë Demarkacionin, përndryshe kundërshtimi i kësaj marrëveshjeje rrezikon të jetë fillimi i fundit të qeverisjes së tij”, ka theksuar ai. 
 
Selmanaj: AAK-ja nuk ka ndërruar qëndrim rreth Demarkacionit
 
Pavarësisht kësaj deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se AAK-ja nuk ka ndërruar qëndrim rreth versionin aktual të Demarkacionit.
“Jo, s’ka asnjë ndryshim, po të njëjtin qëndrim e mbajmë. Grupi Parlamentar i Aleancës nuk e voton Demarkacionin në versionin e vjetër”, është shprehur ai. Selmanaj tutje ka thënë se versioni i tanishëm duhet të shkojë në Kuvend dhe aty ta marrë verdiktin final.
“Duhet të vijë në Kuvend, Kuvendi vendos ose kalon, ose bie dhe vazhdojmë tutje”, ka theksuar ai.
 
Rugova: Vështirë se mund të pritet ratifikimi i versionit aktual të Demarkacionit
 
Ndërkaq analisti politik, Arben Rugova, ka thënë se nuk mund të pritet ratifikimi i Demarkacionit kur dihet qëndrimi kundër i shumicës së deputetëve.
“Duke e ditur qëndrimin e partive parlamentare rreth Marrëveshjes për Kufirin me Malin e Zi dhe nevojën për ta votuar me 2/3 e numrit të deputetëve ende është vështirë të thuhet se mund të pritet ratifikimi i saj”, ka deklaruar ai. Megjithatë ai ka thënë se presioni i vazhdueshëm ndërkombëtar mund ta ndryshojë qëndrimin kundërshtues ndaj kësaj marrëveshjeje. Sa i përket procedimit në Kuvend, ai ka thënë se në muajin e ardhshëm mund të dërgohet në Kuvend kjo marrëveshje. “Unë pres që Kryesia e Kuvendit ta vendosë në rend dite Marrëveshjen për Kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi më së largu në gjysmën e parë të muajit janar. Në Kuvend për votim do të dërgohet marrëveshja, ndërsa raporti i ri që tregon ‘të metat’ e kësaj vije kufitare, i miratuar javën e kaluar nga Qeveria, do t’u shërbejë shumë deputetëve t’i qartësojnë dilemat dhe të marrin vendim për ose kundër vijës kufitare për të cilën palët u pajtuan në gusht të vitit 2015”, ka theksuar ai. 
 
Kurse politologu, Ramush Tahiri, ka thënë se shihet qartazi se versioni aktual nuk e ka shumicën e votave. Megjithatë ai nuk ka përjashtuar mundësinë që i njëjti version të kalojë në Kuvend. “Kjo legjislaturë e ka të njëjtin Projektligj për Shënimin e Vijës Kufitare të Kosovës me Malin e Zi, por e ka edhe raportin e komisionit ‘Bulliqi’ si vlerësim kritik.
 
Për këtë arsye, nëse nuk bëhen ndryshime në ndërkohë Demarkacioni edhe mund të kalojë sepse të gjithë deputetët do ta votojnë: disa se pajtohen me Projektligjin dhe me raportin ‘Meha’ e të tjerët se pajtohen me raportin ‘Bulliqi’. Pra, përderisa është i njëjti dokument të gjithë do të jenë të kënaqur se secili e voton pjesën e vet të këtij dokumenti integral”, ka theksuar ai.