Gjendja e sigurisë në vend, sipas AKI-së: S'ka arsye për t'u bërë merak

Aktuale December 11, 2017 - 12:32

Ka përfunduar raportimi i Shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi, para deputetëve të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të AKI-së.

Ky takim është i pari që ky Komision mban me shefin e inteligjencës kosovare, Driton Gashin.

Anëtarë të këtij Komisioni kanë thënë pas mbledhjes, se ky takim ishte më shumë njoftues mes anëtarëve të rinj të Komisionit me drejtorin e AKI-së.

Nënkryetarja e këtij Komisioni, Ganimete Musliu, pas mbledhjes që e drejtoi në mungesë të kryesueses Kadaj-Bujupi, tha se në këtë takim me Gashin, deputetet u njoftuan me të. 

“Tashmë kemi filluar një funksionim normal. Ky ishte takimi i parë me drejtorin e AKI-së. E gjithë përbërja e Komisionit jemi për herë të parë, prandaj sot takimi ka qenë më shumë njoftues. Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit, nuk ka pasur raportim konkret, herëve të ardhshme do të ftojmë edhe inspektorin për raportime”, ka thënë ajo.

Ajo ka folur edhe për nivelin e sigurisë në Kosovë.

“Ajo çka mund të them për qytetarët është që siguria e vendit është në gjendje normale nuk ka asgjë për t'u bërë ‘merak’", ka thënë Musliu. 

Edhe Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se ky takim nuk ishte i natyrës së raportimit, ishte më shumë i karakterit të njoftimit para anëtarëve të Komisionit. 

“Edhe nga drejtori edhe nga anëtarët u tha se do të ketë bashkëpunim mes dy palëve. Është bërë një bisedë në përgjithësi”, ka thënë Quni. /Gazeta Express.

Image