Tekstet mësimore nxisin pabarazinë gjinore

Aktuale December 11, 2017 - 10:41

Nxënësit kosovar mësojnë sesi gruaja duhet të jetë duke gatuar në kuzhinë, përderisa burri lexon gazetë. Pastaj babai, e jo nëna, ai që i jep para fëmijëve, apo nëse çifti është në makinë, babai do të jetë drejtuesi i saj. Këta shembuj janë në librat me të cilat mësojnë nxënësit në shkollat e Republikës së Kosovës.

Në librin e Edukatës Qytetare klasa e IX-të autoret e tekstit kanë ardhur në një konkludim jo të drejtë duke potencuar se pavarësia ekonomike e grave është një nxitës për shtimin e divorceve.

Në tekstet shkollore gruaja paraqitet inferiore në raport me burrin. Shkolla në Kosovë, sipas ekspertëve të arsimit dhe psikologëve po i kontribuon ndërtimit të bindjes tek vajzat se do të kenë rol inferior në jetë, në raport me burrat. 

Madje këtë e thonë edhe vet nxënësit. Hana Zeneli nxënëse e klasës së dhjetë në gjimnazin shoqëror “Ahmet Gashi” dhe kryetare e klasave të dhjeta thotë se këta shembuj ndikojnë mjaft keq, pasi që sipas saj e forcojnë mentalitetin i cili veçse është shumë i pranishme në shoqërinë tonë.

Këta shembuj, ajo thotë se kanë qenë më të shfaqura në tekstet e shkollës fillore. “Ka raste kur profesorët i shtojnë këto stereotipe pa qenë në libra duke shtuar komentet e tyre, mirëpo nuk duhet përjashtuar fakti që ka edhe profesorë që i trajtojnë shumë mirë këto ndarje”, thotë ajo.

Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC) thotë se një kohë të gjatë barazia gjinore në arsim është kuptuar si krijim i mundësive për vajzat që të vijojnë shkollimin, ndërsa shumë pak kujdes i është kushtuar përfaqësimit gjinor në tekste mësimore.

“Prandaj, në tekstet tona do ta gjeni gruan si inferiore në raport me burrin, për shembull: gruaja do të jetë duke gatuar në kuzhinë, përderisa burri lexon gazetë; pastaj do të jetë babai, e jo nëna, ai që i jep para fëmijëve;  ose nëse çifti është në makinë, babai do të jetë drejtuesi i saj. Është normale që kjo qasje, në një mënyrë, stigmatizon vajzat, pasi shkolla i kontribuon ndërtimit të bindjes tek ato se do të kenë rol inferior në jetë, në raport me burrat”.  Kur kësaj, ai thotë se i shtohet edhe edukata familjare tradicionale, nuk është çudi sipas tij që një numër i konsiderueshëm i burrave dhe grave e pranojnë pabarazinë gjinore si realitet. 

Kërkohet përmirësim i teksteve në aspektin gjinor

“Mendoj se duhet të shfrytëzohet momentumi i tanishëm, kur pritet të bëhen ndryshime të teksteve shkollore, që tekstet e reja të jenë më korrekte nga aspekti gjinor. Po ashtu, edhe mësimdhënësit duhet të aftësohen që komponentë gjinore të jetë më e pranishme në orët e tyre, duke inkurajuar vajzat të marrin përgjegjësi ‘jotradicionale’, ndërsa djemtë ta pranojnë se vajzat duhet të jenë të barabarta me ta”, thotë Pupovci.

Megjithatë, ai thekson edhe nuk jemi shoqëri që e ka shpikë pabarazinë gjinore.

“Ajo ka ekzistuar gjithnjë dhe në mbarë botën, si pasojë e zhvillimeve historike dhe shoqërore, ndërsa po tejkalohet, gradualisht, përmes emancipimit të burrave dhe të grave. Kjo do të jetë arsyeja që, në mbarë botën, burrat janë shumë më të përfaqësuar në tekste të historisë sesa gratë dhe ky realitet mund të jetë i pranishëm edhe në të ardhmen, pasi edhe në kohën e sotme, në pothuaj se çdo vend të botës, prezenca e burrave në politikë është shumë më e madhe sesa prezenca e grave”.

Madje, burrat ai thotë se dominojnë edhe në biznes, në shkencë, e në jetën akademike.

“Është interesante se dominojnë edhe në disa profesione që nuk ngërthejnë në vete asnjë lloj të ngarkesës fizike, siç është teknologjia e informacionit, ndërkohë që për gratë janë të “rezervuara” karrierat në fushën e shëndetësisë dhe arsimit. Do të duhen dekada që kjo gjendje të ndryshojë, megjithatë nuk duhet pushuar së punuari që ky ndryshim të arrihet”, thotë Pupovci. 

Rolet gjinore i privojnë nga mundësia e edukimit dhe përzgjedhjes së profesionit

Psikologia Pranvera Jetishi thotë se në shumë materiale mësimore në mënyrë të dukshme, burrat i kalojnë gratë në përmbajtjen e librave shkollorë.

“Burrat dominojnë situatat me tema të një aktiviteti të lartë si, më të zgjuar, më të guximshëm, më aventurier dhe më fitimtar. Ndërsa gratë paraqitën në situata të dorës së dytë si, më pasive, viktimizuara dhe të varura”, thotë ajo për gazetën.

Studimet e ndryshme, ajo thekson se tregojnë një barazi gjinore sa i përket përfundimit të shkollës së mesme në mes burrave dhe grave, por kjo barazi bie në mënyrë drastike, siç shprehet ajo sa i përket shkollimit universitar dhe atij pas universitar.

“Dallime të tilla shumë shpesh hasen edhe në shkollat dhe në materialet mësimore në vendin tonë. Çka flet edhe për mungesën e profesionalizmit të hartimit të këtyre materialeve mësimore. Në këtë drejtim është shumë e rëndësishme që psikologët të jenë pjesë e hartimit të teksteve dhe kurrikulave mësimore”.

Jetishi thotë se shkolla dhe materialet mësimore pra, shërbejnë si një forcë socializuese e fuqishme edhe në drejtim të roleve gjinore. Në bazë të kësaj, ajo thotë se gjithë këtij stereotipizimi seksual vërehet nevoja për rishkrim të materialeve mësimore duke bërë eliminimin e seksizmit.

“Sepse, meqë rolet mësohen, gjithmonë ekziston mundësia që ato edhe të çmësohen, të definohen dhe ridefinohen. Për shkak se pasojat e roleve gjinore janë të shumta, në karrierën jetësore të individit, duke privuar nga mundësia e edukimit dhe përzgjedhjes së profesionit, ushtrimit të profesionit apo punësimit, etj”, thotë psikologia Jetishi.

Ajo bënë të ditur se fëmijët në secilën kulturë kanë nevojë t’i mësojnë rolet e tyre dhe sjelljet që iu përshtaten atyre roleve.

“Këto modele, kryesisht përqendrohen në fëmijërinë e hershme, sesi fëmijët e zhvillojnë një koncept të gjinisë së tyre dhe atë të të tjerëve. Por, socializmi gjinor vazhdon përgjatë gjithë jetës. Faktorë shumë të rëndësishëm në edukimin e përgjithshëm të fëmijëve e në veçanti edhe në edukimin gjinor janë fillimisht, prindërit, shkolla, mësuesit, materialet mësimore, kurrikulat, organizatat e ndryshme, media, besimi fetar dhe shumë faktorë të tjerë. Duke mos mohuar aspak rolin e secilit nga faktorët e lartpërmendur në edukimin e nxënësve, një rëndësi e veçantë duhet ti kushtohet edukimit që fëmijët marrin nga shkolla dhe materialet mësimore”.

Siaps Jetishit çfarëdo ndikimi që prindërit apo anëtarët e tjerë të familjes mund të kenë mbi zhvillimin dhe edukimin e fëmijës, me të filluar shkolla, një barrë e përgjegjësisë në këtë drejtim i atribuohet mësuesve dhe materialeve mësimore.

“Nga momenti që fëmijët fillojnë edukimin në institucione parashkollore dhe më pas edhe në ato shkollore edukatorët dhe mësuesit japin mesazhe shtesë rreth zhvillimit të rolit gjinor, nëpërmjet gjuhës që përdorin apo formave të ndryshme të komunikimit, aktiviteteve që kryejnë në këto institucione, përforcimeve të ndryshme etj. Sipas literaturës apo studimeve të ndryshme nga fillimi i kopshtit e deri në Universitet, mësuesit ushtrojnë më shumë vëmendje ndaj burrave sesa ndaj grave, dhe burrat priren të dominojnë ambientin e klasës”.

Krahasuar me vajzat, ajo thotë se djemtë preferojnë të tërheqin vëmendjen e mësuesit, të thërrasin në klasë, të kërkojnë ndihmë apo vëmendje nga mësuesi, të shihen si studentë model, apo të lavdërohen nga mësuesit. Ndërsa, Jetishi thotë se vajzat marrin përforcim kryesisht për të qenë të urta dhe të nënshtruara.

Komisioni parlamentar për arsim konstaton: Ka shumë dallime gjinore që nuk do duhej të ishin në libra

Ndërkaq, Albulena Balaj-Halimaj anëtare e komisionit parlamentar për arsim ka thënë se rolet gjinore që hasën në tekste shkollore në edukimin e  nxënësve ndikojnë jo mirë dhe krijojnë paragjykime.

“Raste të tilla ka mjaft në tekstet tona shkollore të cilat janë identifikuar nga grupe të ndryshme të interesit, nga shoqëria civile, studiuesit e rijnë, kjo edhe nga fakti se për kundër ndryshimeve kurrikulare dhe reformave të tjera në arsim tekstet shkollore kanë mbetur të stervjetëruara ngaqë vetëm janë ribotuar pa u mënjanuar gabimet”. 

Balaj-Halimaj duke qenë punëtore arsimore dhe studiuese nga shkencat sociale dhe juridike ka pasur rastin të shfletoj literaturë nga këto lëndë mësimore, prandaj thekson se në librin e Edukatës Qytetare klasa e IX-të autoret e tekstit kane ardhur në një konkludim jo të drejtë duke potencuar se pavarësia ekonomike e grave është një nxitës për shtimin e divorceve.

“Raste të tilla ka edhe në libra të tjerë e me shembuj të tjerë”, thotë ajo duke shtuar dallime gjinore që nuk do duhej të ishin në libra ka shumë.

“Janë identifikuar me dhjetëra të tilla, mesa unë jam në informacion ka interesim të Ministrisë së Arsimit  që të gjitha këto lëshime të evidentuara dhe të tjera që pritet të identifikohen e të mënjanohen dhe në Vitin e ri shkollor 2018-19 të jenë tepër minimale”.

Balaj-Halimaj thekson se në komisionin ku bënë pjesë si deputete do ta ngris këtë shqetësim në instancat më të larta.

Në një deklaratë për ‘Zërin” psikiatri dhe psikoterapeuti, Sami Dalipi, ligjërues i lëndës së Traumatologjisë në Universitetin zviceran të Bernës, thotë se ndarjet gjinore në tekste shkollore nuk do duhej të tingëllonin si “ndarje”, por të jepet impulsi simbiotik i dy gjinive që do të luante një rol të rëndësishëm në definimin integrativ të personalitetit.

“Në asnjë mënyrë nuk do duhej të tingëllonte gjinia si vijë ndarëse e funksioneve të personazheve qofshin gra apo burra”.

Dalipi thotë se fatkeqësisht në tekstet shkollore shpeshherë duket sikur mashkulli është tipi patriarkal dhe dominues që përcakton çdo lëvizje, e gra një menazhe kultivuese e vetme e kujdesit në familje, por sipas tij që tingëllon si një funksion servil për gjininë e kundërt.

“Aspekti diskriminues do duhej që në çdo mënyrë të mos gjejë hapësirë në tekstet shkollore. Personaliteti modern duhet të bart në vete një integritet të emancipuar të gjinisë që do reflektojë kujdes, respekt dhe vetëdije se asnjë gjini nuk mund të definohej pa respektin absolut dhe interagimin human mes njëra-tjetrës”, ka thënë ai për gazetën duke potencuar se personaliteti i edukuar dhe arsimuar mirë do thoshte “ unë jam pasardhës besnik i nënës dhe babait tim”.

Mirëpo, ai thekson se kjo gjë nuk arrihet aq lehtë.

Sipas një hulumtimi të KEC “Barazia gjinore në librat e leximit në arsimin e detyruar nëntë vjeçar në Kosovë”, rezulton se në librat e leximit të analizuara në shkallën e përfaqësimit të roleve profesionale të burrave në shtojcat figurative, burrat janë dominues, sepse në 187 tekste, në shtojca figurative paraqiten role profesionale të burrave, ndërsa rolet profesionale të grave paraqiten gjithsej në 96 tekste apo në 91 tekste më pak sesa burrat.

Gratë në këtë hulumtim theksohet se janë në pozitë të diskriminuar edhe në rastet kur tekstet përcillen me interpretimin e përmbajtjeve të tekstit. Vetëm në 17 apo 3.5 për qind të teksteve me rastin e interpretimit flitet vetëm për gra, ndërsa në 60 apo 18.6 për qind flitet vetëm për burra.    

Ky artikull është mundësuar me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) dhe nuk pasqyron pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Artikulli është pjesë e projektit “Pjesëmarrja e të rinjve në edukim gjithëpërfshirës” që implementohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe zbatuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim –ATRC.