Rusët 'arrijnë' në Vushtrri

Aktuale December 11, 2017 - 08:13

Rusia ka filluar aksionin e ndihmave për fëmijët serbë të fshatrave serbe të Kosovës në jug nëpërmes Kishës së Graçanicës. Përfaqësuesit serbë të fshatrave ndihmën ua atribuojnë “lidhjeve të thella”, që serbët e Kosovës kanë tradicionalisht me Rusinë, ndërsa shqiptarët vlerësojnë se Rusia në këtë mënyrë po futet gjithnjë e më thellë në brendi të Kosovës me qëllime të caktuara, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Disa organizata humanitare të Rusisë, të cilat veprojnë në veri të Kosovës e për të cilat vlerësohet se nuk merren vetëm me ndihma humanitare, kanë shtrirë aktivitetin e vet edhe në jug të vendit.

Rusët kanë “mbërritur” edhe në Vushtrri, në dy fshatrat me shumicë serbe, Gojbulë e Sllatinë, të cilat me Gracën e Prelluzhën e përbëjnë komunën serbe të Vushtrrisë (Vuçitërnë), e cila qeveriset nga i ashtuquajturi Organ i Përkohshëm i Vushtrrisë, një komunë paralele e instaluar nga Qeveria e Serbisë.

LEXO EDHE: “Vetëvendosja”, drejt përçarjes

Ndihmat e mbledhura në Rusi, siç thuhet në një njoftim të Kishës së Graçanicës, i shpërndanë në të gjitha mjediset me shumicë serbe në jug të vendit igumenia e Kishës së Graçanicës, dr. Irina Petroviq, shkruan tutje "Zëri".

Para se përfaqësuesit e Kishës së Graçanicës t’i vizitonin banorët serbë të Gojbulës e të Sllatinës së Vushtrrisë, një gjë të tillë e kanë bërë në Gorazhdevc të Pejës.

Përfaqësuesit e këtyre fshatrave ndihmat me para të gatshme të ardhura nga Rusia ua atribuojnë, siç kanë thënë, “lidhjeve të thella që kanë serbët e Kosovës me shtetin vëlla të Rusisë, i cili përkujdeset edhe për mirëqenien e banorëve serbë të Kosovës”.

Në këtë mënyrë të gjithë fëmijët serbë të Gojbulës dhe të Sllatinës kanë marrë para nga igumenia Irina Petroviq, e cila ka sqaruar se paratë kanë ardhur nga Rusia, përkatësisht nga simpatizantët e klubit të futbollit “Zenit” nga Petrogradi.

“Kjo ndihmë ka ardhur nga Rusia, nga vëllezërit tanë atje. Rusia dhe rusët janë gjithmonë të interesuar për të na ndihmuar, ata i dinë problemet që kemi, nuk na lënë vetëm në vuajtje. Shumë fëmijë i kemi gëzuar në Dukagjin, në Anamoravë e në Kosovën Qendrore duke iu falënderuar atyre njerëzve të rinj rusë, të cilët mendojnë për ne”, ka thënë igumenia Irina Petroviq.

Përfaqësuesi i fshatit Gojbulë, Bratisllav Kostiq, ka falënderuar Rusinë për ndihmat, të cilat “kanë ardhur në kohën kur fëmijët dhe njerëzit ndodhen në gjendje të vështirë në këtë fshat dhe se çdo ndihmë ka domethënie të madhe”.

Ai ka treguar vuajtjet dhe peripecitë me të cilat përballen serbët e fshatit prej përfundimit të luftës, ndërsa ka treguar se shumë serbë e lëshojnë fshatin për shkak se ndihen të rrezikuar.

“Nuk jemi të harruar, sepse ka kush përkujdeset për ne. Çdo ndihmë dhe çdo përkujdesje na vjen si ilaçi”, ka thënë ai.

Kostiq ka përkujtuar se ndihma dhe përkujdesja ruse vjen si rezultat i lidhjeve të thella që kanë serbët e Kosovës me rusët dhe Rusinë.

Kostiq ka shpjeguar se pas luftës në Gojbulë kanë mbetur të jetojnë 80 familje serbe, por ka shumë të tilla që shpërngulen për shkak të kushteve të vështira të jetës, “për shkak të vrasjeve dhe për shkak të sulmeve mbi pronat dhe uzurpimin e pronave”.

“Për shkak të këtyre serbët po i shesin shtëpitë e tyre dhe po ikin nga fshati”, ka thënë Bratisllav Kostiq, përfaqësues i fshatit Gojbulë të Vushtrrisë.

E për fëmijët dhe banorët e Gorazhdevcit të Pejës është përkujdesur Qendra Kulturore Ruso-serbe në Petërburg të Rusisë.

“Kësaj radhe ndihmat kanë ardhur nga vëllezërit rusë të Petrogradit. Nuk është herë e parë që ata ndihmojnë”, ka përsëritur igumenia e Kishës së Graçanicës, Irina Petroviq.

Përfaqësuesi i Gorazhdevcit, Zhivojin Rakoçeviq, gazetar dhe shkrimtar, ka thënë, siç përcjellin mediet lokale serbe në veri, se Rusia ka lidhje të thella me serbët e Kosovës dhe me Serbinë.

“Kur vjen diçka për fëmijët dhe njerëzit që vuajnë dhe të cilët jetojnë në geto, atëherë duhet t’i kuptojmë lidhjet e thella që kemi në një qytet të largët të Rusisë”, ka deklaruar Rakoçeviq, i cili njëkohësisht është drejtor i Shtëpisë së Kulturës në këtë fshat, në të cilin gjithashtu funksionon Komuna serbe e Pejës.

Në anën tjetër, banorët shqiptarë vlerësojnë se nëpërmes kësaj mënyre Rusia po futet gjithnjë e më thellë në brendi të Kosovës me qëllime të caktuara.

“Këto nuk janë ndihma, janë mënyrë e rusëve si të depërtojnë në brendi të Kosovës. Dihet tashmë se në këtë është e përfshirë edhe Kisha Serbe, është projekt serbo-rus që po zbatohet. Natyrisht se këto veprime dhe aktivitete ruso-serbe në Kosovë duhet t’i kontrollojë dikush”, ka thënë një banor shqiptar i Sllatinës së Vushtrrisë, Shemsi Hajdari.