“Vetëvendosja”, drejt përçarjes

Aktuale December 11, 2017 - 08:01

Përplasja brenda lëvizjes “Vetëvendosje”, ku deputetja e këtij subjekti, Aida Dërguti, në një bisedë me deputetët (në aplikacionin “Viber”) ofendoi ish-liderin e këtij subjekti Albin Kurtin, cilësohet si e ngjashme me konfliktet e partive të tjera, PDK-në e LDK-në, të cilat gjatë rrugëtimit të tyre kishin përfunduar me ndarje, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kështu mendojnë njohësit e çështjeve politike në vend, të cilët thonë se komunikimi i publikuar ditëve të fundit tregon mjaftueshëm përçarjet dhe pakënaqësitë nga grupet përbrenda këtij subjekti.

Andaj, sipas tyre, epilogu i tërë kësaj mund të rezultojë me ndarjen e LVV-së dhe me krijimin e një force të re politike.

Mirëpo, pavarësisht publikimit të këtyre bisedave, lëvizja “Vetëvendosje” ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar rreth kësaj çështjeje.

As deputetët e këtij subjekti nuk kanë dashur të lëshohen në komente, duke thënë se kjo është çështje e brendshme e partisë.

LEXO EDHE: Sheikët e Shipitullës

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme është bërë e ditur se lëvizja “Vetëvendosje” do ta mbajë sot mbledhjen e Kryesisë.

Kurteshi: Ka ngjarë diçka që është krejt njerëzore

Ndonëse gjatë ditëve të fundit disa prej deputetëve të LVV-së i dolën në mbështetje deputetes Aida Dërguti e disa të tjerë anuan kah deputeti Albin Kurti, të kontaktuar gjatë ditës së djeshme, ata nuk deshën të flasin rreth kësaj çështjeje.

Megjithatë, pas seancës së djeshme, deputeti Sami Kurteshi, duke thënë se nuk është kompetent të flasë për një gjë të tillë, pohoi se ka ngjarë diçka që është krejtësisht njerëzore.

“Sot të gjitha zhvillimet e tjera mund të adresohen në lëvizjen ‘Vetëvendosje’. Unë nuk jam kompetent dhe as i deleguar nga asnjë organ i lëvizjes ‘Vetëvendosje’ për të folur për këto gjëra, mendoj se ka ngjarë diçka që është krejt njerëzore në instancën e fundit”, ka thënë Kurteshi pas seancës së djeshme dje para gazetarëve.

Ndërkohë deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Aida Dërguti, pak pas publikimit të mesazheve pati dalë me reagim, përmes të cilit kërkoi falje për gjuhën e përdorur dhe sqaroi situatën.

Më tej Dërguti ka thënë se një reagim i tillë ka ardhur pas disa problemeve e mospajtimeve të thella politike e organizative, që i ka pasur me njerëz të caktuar në lëvizjen “Vetëvendosjen”.

“Ka një kohë që brenda organizatës sonë po synon të instalohet një mënyrë e caktuar e të menduarit dhe e të vepruarit politik, që kushtëzon mosbesim e frikë mes aktivistëve e anëtarëve, ku përmes shpifjeve e insinuatave, të pavërtetave e gjysmë të vërtetave është synuar degradimi publik e eliminimi politik i njerëzve të caktuar. Kjo e rrezikon Lëvizjen, sepse instalon një mendësi politike në të cilën mbytet demokracia e diskutimi i sinqertë, parimor e i hapur i qëndrimeve tona politike e i vendimeve tona organizative. Këto probleme e mospajtime kanë më shumë se një vit që po zgjasin”, ka theksuar ajo.

Baraliu: Është evidente që ka një çarje brenda LVV-së

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se gjuha e përdorur nga deputetët e LVV-së mund të ndikojë negativisht për këtë subjekt.

“Fjalori i komunikimit joqytetërues dhe joserioz, jozyrtar i cilitdo individ të subjektit ose klasës politike në përgjithësi nuk është i dobishëm. Përkundrazi, sjell dëme dhe pasoja për stabilitetin dhe aktivitetin e përforcimit politik dhe për perspektivën politike të vet subjektit politik”, ka thënë ai.

Sipas Baraliut, një gjë e tillë shpërfaq saktësisht se diçka nuk është duke shkuar në rregull brenda partisë.

Megjithëkëtë, ai thotë se partia duhet të arrijë ta gjejë një konsensus rreth kësaj çështjeje.

“E dyta, komunikimi i tillë flet vetvetiu nga brendia e çështjes se diçka atje shushurit brenda një subjekti, po ky subjekt tash e ka kuvendin, i ka zgjedhjet. Do të duhej që gjërat të sqarohen në mënyrë demokratike, të ketë një debat domosdoshmërisht serioz të brendshëm politik, në mënyrë që të sqarohen gjërat, vizioni dhe dallimet eventuale, në mënyrë që ata që kanë mendime të ndryshme t’i harmonizojnë ato dhe ta arrijnë një konsensus politik”, ka theksuar Baraliu.

Ai më tutje ka thënë se nuk duhet të ketë çarje e veçmas në këso momentesh. Megjithatë, Baraliu vlerëson se të tilla çështje duhet të tejkalohen.

“Nuk mund të mohohet, është evidente që ka një çarje aty, por mendoj që është e momentit, shpërthim emocional dhe duhet të tejkalohet. Jo nëpërmjet rrjeteve sociale. Do të duhej të ulej Kryesia sa më parë”, ka thënë ai, duke shtuar se çarjet e tilla janë mjaft të dëmshme.

Ismajli: Konflikti brenda LVV-së është i kahershëm

Kurse profesori i shkencave politike, Dashnim Ismajli, ka konsideruar se konflikti i fundit i LVV-së është i ngjashëm me ato që është hasur në të kaluarën tek dy partitë e tjera, të cilat tashmë janë ndarë, PDK-ja e  LDK-ja.

“Mendoj se konflikti që kemi hasur te LVV-ja kohën e fundit ngjason shumë afër me konfliktet e kaluara brenda dy partive të mëdha, si LDK-ja dhe PDK-ja, lufta për dominim dhe assesi për parime apo programatikë partiake. Zgjedhjet e fundit lokale kanë qenë indikator mjaft i fuqishëm në përshkallëzimin e konfliktit brenda LVV-së”, ka deklaruar ai.

Një gjë e tillë, sipas tij, tregon se konflikti brenda LVV-së është i kahershëm dhe përgjatë kësaj kohe, siç shprehet Ismajli, vetëm sa është thelluar hendeku i përçarjes përbrenda strukturës së partisë.

Andaj përplasjet e fundit mes deputetëve të kësaj partie tregojnë qartë për përçarjen mes LVV-së.

“Unë mendoj se komunikimi që hasëm ditët e fundit nga elita e LVV-së dhe elektorati i saj tregon mjaftueshëm për përçarjet dhe pakënaqësitë nga grupet përbrenda LVV-së, që mund të rezultojnë me ndarjen e LVV-së dhe krijimin e një force të re politike”, ka theksuar ai.

Abazi: Nuk është e habitshme që LVV-ja po kalon nëpër një krizë

Ndërkaq, analisti politik Haki Abazi ka thënë se nuk është e habitshme që lëvizja “Vetëvendosje” po kalon në situatë krize.

“Nuk është aspak për habi që në një shoqëri me shumë pak vlera LVV-ja po kalon nëpër një krizë që e kemi parë në çdo parti, grupim apo asociacion. Tani kur është rritur në shtrirjen dhe fuqinë e vet, ata që heshturazi kanë qenë duke vrojtuar kanë filluar gjahun e tyre për t’i bërë viktimë udhëheqësit kryesorë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, është mirë që një gjë e tillë ndodhi para se të bëhej vonë.

“Është gjë e mirë që po ndodh kjo gjë tani në LVV, para se të ketë marrë shumë pushtet, sepse gjithsesi unë e shoh LVV-në të transformuar në një të majtë të shëndoshë burimore, e cila do ta zëvendësojë PDK-në dhe duke ofruar një garë kualitative me të djathtën, që po ashtu është duke u reformuar në mënyrë graduale”, ka shtuar Abazi.