Thaçi në Konferencën e Parisit: Dialogu mbetet çelsi i vetëm për integrimet euvropatlantike

Aktuale December 08, 2017 - 12:29

 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në Konferencën e Parisit, që po zhvillohet në kuadër të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Kontinentit të Amerikës, sot para të pranishmëve ka folur për zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës në kuadër procesit të integrimit në BE. Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova si shtet i ri po zhvillohet politikisht dhe ekonomikisht për të përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve, mirëpo me rigorozitet i zbaton edhe politikat e zhvillimit për të përmbushur standardet evropiane në të gjitha fushat, sepse qëllimi ynë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. “Të gjitha politikat qeveritare i kemi zbatuar me standardet e BE-së, gjë që është në përputhje me qëllimin përfundimtar për integrimin tonë euroatlantik. Zhvillimi ynë politik dhe ndërtimi i institucioneve, reforma e administratës publike, reforma gjyqësore dhe forcimi i sundimit të ligjit është modeluar nga afër në përputhje me kriteret e BE-së”, ka thënë presidenti Thaçi. Në Konferencën e Parë të Parisit, presidenti Thaçi ka folur edhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se ky dialog tani po hyn në një fazë të re dhe është shprehur i bindur se një marrëveshje përfundimtare do të arrihet brenda një të ardhme jo të largët. Sipas tij, dialogu deri tani ka dhënë shumë rezultate pozitive dhe mbetet çelsi i vetem për normalizim të marrëdhënieve ndermjet dy shteteve respektive si kusht i domosdoshëm për integrim në BE dhe NATO. Presidenti Thaçi ka thënë se sukseset e Kosovës i dëshmon edhe raporti i Bankës Botërore në të bërit biznes, ku Kosova kishte një përmirësim të ndjeshëm në renditje, nga vendi i 60 në atë të 40. Por, sipas tij, ngjashëm me fqinjët tanë, edhe ne kemi probleme me ekonominë joformale dhe për më tepër, Kosova ende sfidohet nga shkalla e lartë e papunësisë.