Nisin hetimet ndaj ministrit Gashi, opozita kërkon shkarkimin

Aktuale December 08, 2017 - 07:51

 

Policia e Kosovës e ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës kallëzimin penal ndaj ministrit të Diasporës, Dardan Gashit, si dhe ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, të cilët shihen duke gjuajtur me armë në një video të publikuar ditë më parë nga mediet në vend. Ata festonin shpalljen si të pafajshëm nga Gjykata të zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj si i dyshuar për korrupsion.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se Stacioni Policor në Malishevë e ka iniciuar rastin me prokurorin e Shtetit dhe ka filluar me procedurat hetimore. “Gjatë punës hetimore me autorizimin e prokurorit janë ndërmarrë disa veprime operativo-hetimore, ndër to janë intervistuar disa persona dhe rasti i kompletuar i është dorëzuar me kallëzim penal Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Policisë për “Zërin”.
Gazeta “Zëri” për këtë çështje ka tentuar ta kontaktojë edhe ministrin Gashi, por ky i fundit nuk është përgjigjur në telefonin e tij.

Në anën tjetër, partitë opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e zëvendëskryeministrit Dardan Gashi. Sipas tyre, ligjin duhet ta respektojnë edhe zyrtarët e lartë të shtetit dhe jo vetëm qytetarët e rëndomtë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdullah Hoti, ka thënë se tashmë e kanë dorëzuar kërkesën për interpelancë në Kuvend. “Ne kemi kërkuar interpelancë me kryeministrin. E kemi dorëzuar kërkesën në Kuvend”, tha Hoti.

Në komunikatën e lëshuar ditë më parë Hoti kishte thënë edhe se sjellja e ministrit Gashi mbi të gjitha bie ndesh me etikën e lartë, që duhet ta kenë zyrtarët e institucioneve të shtetit. “Me këtë është dëmtuar imazhi i Qeverisë së Kosovës para qytetarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Prandaj ne kërkojmë këtë interpelancë me kryeministrin për të diskutuar në detaje se si mundet një zyrtar i lartë të sillet kështu”, tha Hoti.

Ndërsa deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismail Kurteshi, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se ligji duhet të respektohet nga të gjithë. “Qytetarët e Kosovës duhet ta respektojnë ligjin, edhe zëvendëskryeministri apo kushdo qoftë ai, edhe për ata vlejnë ligjet e Kosovës dhe ata që e shkelin ligjin do të duhej që të ballafaqohen me drejtësinë, e drejtësia t`i ndërmarrë masat që parashihen me ligj si për çdo qytetar tjetër”, tha Kurteshi.

Kurse sa i përket interpelancës ai ka thënë se këtë qëndrim do ta mbajë edhe nëse ngrihet një interpelancë. “Kanë të drejtë të kërkojnë dhe nëse e kërkojnë një gjë të tillë unë do ta mbaj këtë qëndrim, që pavarësisht prej pozitës që e ka çdo qytetar i Kosovës është i obliguar ta respektojë ligjin e Kosovës”, ka përfunduar Kurteshi.