Demarkacioni në duar të komisionit parlamentar në krye me Vjosa Osmanin

Aktuale December 07, 2017 - 21:03

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike tashmë ka në duar projektligjin për demarkim të kufirit me Malin e Zi, para se ky i fundit të kalojë për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës. Zëvendëskryetarja e këtij komisioni, deputetja e AAK-së, Time Kadriajaj ka bërë të ditur për “Gazeta Blic”, se ngjashëm sikurse të gjithë projektligjet tjerë, edhe ky për demarkacionin do të kalojë përmes komisionit parlamentar.

”Edhe projektligji i demarkacionit duhet t’i kalojë procedurat parlamentare sikur krejt projektligjet tjera”, tha Kadrijaj.

Deputetja e AAK-së tha se pa kaluar përmes komisionit nuk do të mund të përcillet për në seancë plenare.

”Fillimisht duhet të kaloj përmes komisionit parlamentar për punë të jashtme e më pas të procedohet për seancën plenare”, shtoi ajo.

Sa i përket caktimit të një date për mbledhjen e ardhshme të komisionit, ku edhe do të mund të diskutohej për demarkimin e kufirit, ajo tregoi se një mbledhje e tillë ende nuk është caktuar.

”Ende nuk është caktuar mbledhja e komisionit e për qëndrime të anëtarëve  të komisionit nuk e di”, pohoi ajo.

Time Kadrijaj-Deputete e AAK-së

Për fund, Kadrijaj ka bërë të ditur që AAK ruan qëndrimin e saj kundër marrëveshjes për demarkim të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

”Një e di dhe është e saktë që AAK nuk e voton marrëveshjen”, përfundoi ajo.

Gazeta Blic ka tentuar të kontaktojë edhe kryetaren e këtij komisioni Vjosa Osmani, mirëpo e njëjta nuk është përgjigjur në telefon.

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike është i përbërë nga kryetarja Vjosa Osmani (LDK), Zëvendëskryetare e parë Time Kadrijaj (AAK), Zëvendëskryetar i dytë Danush Ademi (6+), Aida Dërguti (Vetëvendosje), Visar Ymeri (Vetëvendosje), Dukagjin Gorani (Vetëvendosje), Doruntinë Maloku-Kastrati (LDK), Elmi Reçica (PDK), Evgjeni Thaçi – Dragusha (PDK), Srdjan Mitrovië (Lista Serbe) dhe Zafir Berisha (Nisma për Kosovën).

Komisioni për Punë të Jashtme

Gazeta Blic nga burimet e veta në Kuvend ka mësuar se një mbledhje e këtij komisioni ku do të diskutohet për demarkacionin nuk është vendosur ende a do të ndodhë brenda këtij viti.

Gjithashtu, Gazeta Blic mëson se brenda vitit 2017-të, demarkacioni mund të mos përcillet fare në kuvend.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli duke paralajmëruar seancën e radhës së Kuvendit tha se demarkacioni nuk është momentalisht në agjendën e kuvendit.

 “Seanca e radhës parlamentare do të mbahet të enjten, pikatë rendit të ditës do të jenë ato të cilat kanë qenë në pritje, në kuvendin e Kosovës. Tani kur po flasim nuk ka asnjë çështje e cila është në pritje në agjendën e kuvendit, pra do të vazhdojmë në këtë mënyrë të enjten në orën 10 do të kemi seancën parlamentare. Në pikat e rendit të ditës që i kaluam, nuk ka qenë çështja e demarkacionit për arsye se ai projektligj kalon në radhë të parë në Komisionin për Punë të Jashtme dhe në momentin kur e përfundojnë komisionet, pastaj procedohet për në seancë plenare”, deklaroi Veseli.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ditë më parë  ka marrë vendim që të procedojë për në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, bashkë me të gjeturat e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit.