Aktuale

Çështja e shenjtë e Jeruzalemit, Shqipëria mes SHBA dhe BE, pa qëndrim zyrtar

Çështja e shenjtë e Jeruzalemit, Shqipëria mes SHBA dhe BE, pa qëndrim zyrtar
07 dhjetor 2017 • 20 : 25


Edhe ambasadori i Palestinës në Shqipëri mendon se vendimi i presidentit Trump do të nxisë dhunën, duke i dhënë alibi krahut ekstremist dhe duke dëmtuar krahun reformator, që kërkon paqe me Izraelin.

Kurse ambasadori Izraelit mendon se vendimi është i drejtë dhe duhet të ndiqet dhe nga Shqipëria. Por pikërisht kjo është çështja, me kë do të rreshtohet Shqipëria?

“Kjo gjë do të hap dyert për radikalistët në Lindjen e Mesme dhe në botë, ku do të thonë “Ne kishim të drejtë”, kështu që zëri i ynë, që besojmë në zgjidhjen paqësore mes Palestinës dhe Izraelit, do të jetë shumë i dobët. Shqetësimi im më i madh dhe i çdo qytetarit të Palestinës, të krishterë apo musliman, është që vendet e shenjta për të krishterët dhe myslimanët në Jeruzalem, do të jenë në rrezik. Nuk mendoj që asnjëri nga ne do donte të shikonte xhaminë Al Aqsa të shkatërruar një ditë. Ky do të ishte fundi i të gjithë lojërave, jo vetëm i procesit të paqes”, u shpreh Yasser Al-Najjar, ambasador i Palestinës në Tiranë.

“Është një vendim historik i Presidentit Trump, por me lejoni të nënvizoj që Jeruzalemi ka qenë kryeqytetit i kombit hebre për mbi 3000 vjet. Por gjithsesi është një vendim historik, sepse aleati ynë më i madh SHBA, vendosi që ta njoh Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe të zhvendos atje Ambasadën dhe i jemi shumë mirënjohës për këtë. Mendoje që kjo gjë do ndihmojë në zgjidhjen e situatës, sepse çdo zgjidhje paqësore, çdo marrëveshje që do të arrijmë me fqinjët tanë, Jeruzalemi do të mbetet kryeqytetit i shtetit të Izraelit”, tha Boaz Rodkin, ambasador i Izraelit në Tiranë.

Të dy ambasadorët kanë nga një thirrje për Shqipërinë.

“Deri më tani nuk kemi dëgjuar asnjë qëndrim zyrtar të qeverisë, por shpresojmë që Shqipëria duke qenë se ka njohur pavarësinë të Shtetit të Palestinës në 1988, të mos pranojë një katastrofe të tillë kundër palestinezëve dhe më pas që mund të kthehet edhe kundër izraeliteve. Ne e kuptojmë që Qeveria Shqiptare ka marrëdhënie të mira me Qeverinë e Izraelit, por shpresojmë që Shqipëria të paktën të shkojë në linjën e BE-së, që është aleati më i madh i juaj dhe ku ju dëshironi të bëheni pjesë”, thotë ambasadori i Palestinës.

“Unë besoj që ky vendim i SHBA është një thirrje edhe për Shqipërinë, siç është dhe për të gjithë vendet e Europës, ku i thuhet që ambasada jonë është në kryeqytetin e këtij shtetit dhe besojmë që të gjitha ambasadat duhet të jenë në kryeqytetin e Izraelit”, thotë ambasadori i Izraelit në Tiranë.

Çështja është që Shqipëria nuk ka ende një qëndrim zyrtar. A do të rreshtohet me vendet europiane si Gjermania dhe Franca, apo do të ndjekë Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Si anëtar i asociuar i Bashkimit Europian, Shqipëria ka detyrim të përafrojë politikën e jashtme me politikën europiane. Por në rastin e Traktatit të Romës që krijoi gjykatën penale ndërkombëtare Shqipëria mbajti anën e Shteteve të Bashkuara.

Kurse për ngritjen e flamurit palestinez në OKB, Shqipëria votoi si vendet e Bashkimit evropian, kundër qëndrimit të Shteteve të Bashkuara. Çështja e Jeruzalemit është më e ndjeshme dhe mund të çojë në një përshkallëzim në krejt Lindjen e Mesme. Kurse Shqipëria ndodhet përpara një momenti kyç në marrëdhëniet me Bashkimin evropian, sepse shpreson të marrë vitin e ardhshëm një datë për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Me amerikanët apo me europianët, këtë herë çështja nuk është fare e lehtë./Top Channel

© zëri.info